Policia Kufitare, plan operacional kundër trafikimit të automjeteve të vjedhura
Në kuadër të punës intensive nga shërbimet e Policisë Kufitare në të gjitha pikat e kalimit kufitar të vendit është iniciuar një plan operacional policor, me fokus parandalimin e trafikimit të automjeteve të vjedhura.
Si rezultat i zbatimit të këtij plani operacional, në bashkëpunim me drejtoritë vendore të Policisë, në PKK Morinë dhe në PKK Port Durrës, në hyrje të vendit u konstatuan dhe u goditën 2 raste të kësaj paligjshmërie.
Po ashtu, specialistët për hetimin e trafiqeve të paligjshme të DVP Kukës referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. S., 40 vjeç, banues në Gjilan, pasi në hyrje të vendit, në PKK Morinë, drejtonte një karroatrec me të cilin transportonte 2 automjete tip “Mercedes Benz” dhe tip “BMW X5”, të cilat nga verifikimet rezultuan se ishin të shpallura në kërkim, përkatësisht nga Interpol Praga dhe Interpol Wiesbaden.
Ndërsa specialistët për hetimin e trafiqeve të paligjshme të DVP Durrës referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin R. H., 49 vjeç, banues në Shijak, pasi në hyrje të vendit, në PKK Port, Durrës, drejtonte një automjet tip “Audi A4”, i cili nga verifikimet rezultoi se ishte vjedhur në Itali, më datë 18 nëntor 2018.
Të treja automjetet u bllokuan nga specialistët përkatës, me qëllim kryerjen e veprimeve të mëtejshme hetimore.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Kukësit dhe Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.
Ndërkohë, gjatë këtij muaji, shërbimet e Policisë Kufitare kanë bllokuar edhe 5 automjete të tjera, për tentativa për trafikim.
Frakson.com