AktualitetKosovaRajoniTë fundit

Organizoi sulmin ndaj policisë së Kosovës, kush është Milan Radoiçiç, nënkryetar i Listës Serbe (Profili i errët)

Në Shtetet e Bashkuara te Amerikës i sanksionuar, në Kosovë i kërkuar, ndërsa në Beograd njihet si mbrojtësi me i forte i serbëve në veri të Kosovës. Ky është profili i Milan Radoiçiç, serb i lindur në Gjakovë, aktualisht nënkryetari i Listës Serbe, që akuzohet nga autoritetet e Kosovës, si organizator dhe pjesëmarrës i sulmit të 24 shtatorit në Banjskë, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Përveçse një njeri i biznesit, me kalimin e viteve Milan Radoiçiç ka imponuar edhe një profil politik. Ai është zgjedhur nënkryetar i Listës Serbe pak muaj pas vrasjes së politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviç, ne vitin 2018. Radoiçiç është akuzuar se ka gisht në këtë vrasje, por këto dyshime nuk janë vërtetuar në rrugë gjyqësore. Ai e ka cilësuar akuzën e autoriteteve të Kosovës ndaj tij si dredhi shqiptare për ta eliminuar politikisht.

Në dhjetor të vitit 2021, Departamenti amerikan i Thesarit sanksionoi Milan Radoiçiçin dhe partnerin e tij në biznes, Zvonko Vesellinoviç. Ata të dy, së bashku me 10 persona të tjerë, akuzohen nga SHBA si prijësit e një grupi të organizuar kriminal, që merret me kondrabandimin e armëve, korruptimin e zyrtarëve dhe tregtinë e paligjshme të mallrave, parave dhe narkotikëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Nënkryetari kontrovers i Listës Serbe ka marrë pjesë në disa takime me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Beograd. Ai ka pasur takime e kontakte edhe me politikane nga Prishtina. Ne vitin 2019 mediat publikuan nje fotografi ku Radoiçiç dhe kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, duken në një jaht me biznesmenin kosovar, Behgjet Pacolli. Takimi është pranuar nga Pacolli i cili ka thënë se ngjarja ka ndodhur rastësisht dhe se nuk kanë biseduar për politikë. Kur Radoiçiq është zgjedhur nënkryetar i Listës Serbe ai është takuar edhe me Ramush Haradinajn në kabinetin e tij.

Në fillim të korrikut të këtij vit, Milan Radoiçiç ka qenë sërish në qendër të vëmendjes. Ai ka publikuar një video nga rrethina e Leposavicit, në veri të Kosovës, me mesazhin: “Jam këtu, jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë kjo”. Pas sulmit ne Banjske janë hedhur dyshime se Radoiçic mund te jete plagosur ne manastir. Media boshnjake, ‘Istraga”, raportoi në platformën X se Radoiçiç ka marre një plumb gjatë shkëmbimit të zjarrit me policët shqiptarë dhe po kurohet në një spital ne serbi. Ky informacion nuk është konfirmuar as nga autoritetet e Kosovës dhe as nga ato të Serbisë./BW

 

Farksion.com