AktualitetKosovaRajoniTë fundit

Hovenier: Grupi i armatosur që sulmoi policinë në veri të Kosovës ishte i trajnuar dhe i organizuar

Ambasadori amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier, tha të martën se grupi i armatosur që sulmoi të dielën policinë e Kosovës në veri nuk kishte të bënte me ndonjë grup qytetarësh të mbledhur spontanisht, por ishte grup i trajnuar dhe organizuar.

Ai i bëri këto komente pas një takimi me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, dy ditë pasi një grup personash të armatosur sulmoi policinë e Kosovës, duke vrarë një oficer dhe plagosur një tjetër.

“Ne ende po punojmë për të kuptuar se si dhe kush është përgjegjës dhe pse. Por dua të them, ju i keni parë pamjet e pajisjeve ushtarake dhe planet që ishin zhvilluar. Ky nuk ishte një grup i qytetarëve që spontanisht u bënë së bashku për të shprehur shqetësimet e tyre. Ky ishte një grup i trajnuar dhe i organizuar. Kjo nënkupton se pas tyre ka një lloj strukture, duke pasur parasysh trajnimin dhe pajisjet. Ne duam që kjo ngjarje të ndriçohet dhe ata të mbahen përgjegjës”, tha ambasadori Hovenier.

Ai tha se institucionet e sigurisë së Shteteve të Bashkuara po punojnë bashkë me ato të Kosovës dhe partnerëve tjerë për të sqaruar gjithçka që ka ndodhur si dhe motivet e ngjarjeve të së dielës.

Sulmi u cilësua si akt terrorist nga institucionet e Kosovës dhe diplomatët perëndimorë. Kryeministri Kurti tha se grupi i armatosur kishte mbështetjen e autoriteteve në Serbi. Zyrtarët në Beograd mohuan ndërkaq çfarëdo lidhjeje me grupin.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç i cili të martën u takua me ambasadorët e pesë vendeve kryesore perëndimore, Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Francës, Italisë e Gjermanisë për të diskutuar situatën e fundit në veri të Kosovës shkroi në rrjetet sociale se ka kërkuar nga diplomatët që “KFOR-i të kujdeset për të gjitha çështjet e sigurisë në veri të Kosovës në vend të policisë së (Albin) Kurtit”. Ai tha se ka shtruar edhe pyetjen se “pse misioni i EULEX-it i është refuzuar nga policia e Kosovës të marrë pjesë në operacionin e së dielës”.

Një ditë më parë sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, duke e dënuar sulmin tha se “policia e Kosovës ka përgjegjësi të plotë për të siguruar zbatimin e ligjit në Republikën e Kosovës”. Sekretari Blinken theksoi se “Shtetet e Bashkuara janë mirënjohëse për bashkërendimin e afërt të Policisë së Kosovës me EULEX-in dhe misionin e NATO-s në Kosovë, në veçanti për ofrimin e sigurisë për civilët në vendin e ngjarjes.”

Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja thanë të martën se “pas sulmit kundër policisë së Kosovës në Banjskë, policia ka ndërhyrë në përputhje me mandatin e saj për zbatimin e ligjit, si reaguese e parë. Trupat e KFOR-it ishin të pranishëm në zonë. Ata vëzhguan nga afër situatën dhe ishin të gatshëm të përgjigjeshin, nëse kërkohej”.

Gjatë gjithë kohës, thuhet në një komunikatë, policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i kanë vepruar në bashkërendim të ngushtë, respektivisht si reagues i parë, i dytë dhe i tretë.

Përmes KFOR-it, NATO-ja gjithmonë do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me mandatin që del nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, thuhet në komunikatë në të cilët theksohet se KFOR-i do të vazhdojë të ofrojë kuadrin e sigurisë së nevojshme që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të ecë përpara, si mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve.

Ambasadori amerikan në Beograd, Christofer Hill i cili ishte në takim me presidentin serb, tha gjatë një debati të organizuar ne Beograd se situata në veri të Kosovës është e rrezikshme.

“Ishte një ngjarje tragjike dhe ne të gjithë duhet të dënojmë vrasjen e një pjesëtari të policisë së Kosovës. Gjithmonë është për keqardhje humbja e jetëve, por mendoj se e është e rëndësishme që të vazhdojmë me procesin politik. Mendoj se po zhvillohen procese për të nxitur më tej dialogun”, tha ai.

Diplomatët perëndimorë po u bëjnë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprime dhe retorika që mund të nxisin tensione të mëtejshme dhe të kthehen në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Të hënën i dërguari i evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe këshilltarët diplomatikë të udhëheqësve të Francës, Gjermanisë dhe Italisë, si dhe i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, diskutuan për situatën në Kosovë dhe hapat e ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit dhe situatën në veri.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian thanë se janë vënë në përpjekje për takime të reja në Prishtinë dhe Beograd në orvatje për ripërtëritjen e bisedimeve, raundi i fundit i të cilave që u mbajt më 14 shtator në Bruksel, nuk shënoi ndonjë përparim./VOA

 

Fraksion.com