AktualitetTë fundit

Detaje nga vrasja: Viktima uli shpejtësinë se po hynte në mbikalim kur iu bë atentat, lëvizjet e fundit që bëri në Sukth

Zbardhen detaje nga lëvizja e fundit e 38-vjeçarit Fajton Dervishi, i cili u vra gjatë natës në Durrës. Raportohet se mjeti i viktimës ndodhet ende në vendin e krimit, konkretisht afër një ure, në mbikalimin e trenit në Sukth.

Viktima ishte bashkë me një shok  në momentin kur ndodhi ngjarja. Ka dyshime se autorët e kanë ruajtur ‘shënjestrën’ e tyre, dhe më pas kanë hapur zjarr ndaj tij, teksa ai kishte ngadalësuar shpejtësinë pasi po hynte drejt mbikalimit, ndërsa pak më larg kishte dhe banesën. Sakaq, ai kishte qenë bashkë me shokun e tij në një lokal dhe më pas ishin larguar për në shtëpi.

Ndërkohë, në vendin e ngjarjes ka mbërritur në Sukth dhe FNSH nga Tirana. Një prej pistave ku po heton policia, është një konflikt që vëllai i tij ka pasur për një plagosje një vit më parë.

Fatjon Dervishi është emër i njohur për policinë sepse ka qenë i skeduar për drogë dhe krime ndaj personit e pronës, por asnjëra prej këtyre nuk i është provuar. Ndërkohë vëllai i viktimës, Fatbardh Dervishi ndodhet në burg.

Mësohet se veç mbiemrit Dervishi, vëllezërit mbanin edhe mbiemrin Doda.

Vëllai i viktimës ka qenë i përfshirë në një grup kriminal në Spanjë, ku është dënuar për pastrim parash. Sipas informacioneve, ai dyshohet gjithashtu për zhdukjen e një personi në Spanjë. Në vitin 2018 Fatbardh Dervishi dyshohet se ka zhdukur personin e identifikuar si Tauland Malshi.

Me pas ai u zhvendos në Durrës, ku u arrestua për plagosjen e një vajze në hotel. Aktualisht ai ndodhet në burg për këtë vepër penale dhe për dënimin që mori në Spanjë. Sipas informacioneve, deri më tani larja e hesapeve është pista kryesore ku po heton policia.

Gjashtë persona janë shoqëruar nga policia e Durrësit në funksion të zbardhjes së vrasjes që ndodhi natën e kaluar në Katund të Sukthit.

Policia po vijon me intensitet hetimet, ndërsa po këqyren edhe pamjet e kamerave të sigurisë në mënyrë që të kuptohen lëvizjet e viktimës dhe autorit.

38-vjeçari Fatjon Dervishi u qëllua natën e kaluar ndërsa po kthehej me makinë në shtëpi bashkë me shokun e tij, pasi kishin qëndruar në një lokal.

Kontrolle të shumta janë ushtruar në të gjithë zonën përreth dhe në hyrje-daljet e autostradës. Në ndihmë të policisë së Durrësit kanë mbërritur edhe dy grupe të FNSH-së Tiranë.

Grupi hetimor po vijon veprimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit dhe bashkëpunëtorëve të tij në këtë krim. Errësira në zonë nuk ka ndihmuar për të dhënë detaje që do të ndihmonin zbardhjen e shpejtë të ngjarjes.

 

Fraksion.com