Airbnb u bën thirrje parisienëve t’i japin me qira shtëpitë e tyre gjatë Olimpiadës
Airbnb pret të jetë nikoqir i mbi gjysmë milioni njerëzve në Paris, në kohën e mbajtjes së Lojërave Olimpike Verore më 2024, andaj u ka bërë thirrje parisienëve që t’i japin shtëpitë e tyre me qira, ka thënë shefi ekzekutiv i kompanisë Brian Chesky.
Ai ka thënë për agjencinë e lajmeve Reuters që sa më shumë mundësi që ofrohen, çmimet do të jenë më të përballueshme.
Ai i ka bërë këto deklarata teksa rriten shqetësimet se çmimet mund ta prekin kulmin për Lojërat që do të mbahen në gushtin e vitit të ardhshëm, dhe për pasojë, për disa do të jenë të papërballueshme.
“Shumë njerëz kanë nevojë për strehim. Parisi nuk ka mjaftueshëm dhoma hoteli për t’i akomoduar të gjithë ata njerëz”, ka thënë Chesky.
Zyra e Parisit për Turizëm pret që 16 milionë njerëz ta vizitojnë rajonin e Parisit për Lojërat Olimpike dhe Paralimpike.
“Sondazhet kanë treguar që më shumë se 20 për qind e njerëzve në Paris janë të interesuar në qiradhënie. Nëse ata i sistemojnë shtëpitë e tyre në Airbnb dhe ka mjaftueshëm shtëpi, çmimet do të jenë të përballueshme”, ka thënë Chesky.
Airbnb është bërë partner i Olimpiadës më 2019.
Fraksion.com