AktualitetPolitikëTë fundit

“Flasim për të ardhmen jo më për të shkuarën”, Rama: Samiti i parë i Procesit të Berlinit jashtë BE, në Tiranë

Kryeministri Edi Rama mori sot pjesë në Ministerialin euroballkanik të ministrave të Ekonomisë nga BE-ja dhe rajoni, zhvilluar në kuadër të Procesit të Berlinit, me pjesëmarrjen e mbi 20 delegacioneve të nivelit të lartë.

Në fjalën e tij Rama u shpreh i nderuar që Shqipëria organizon samitin e  parë të Procesit të Berlinit jashtë kufijve të BE dhe për këtë tha ai, “më duhet të falënderoj me gjithë zemër kancelarin Scholz dhe ekipin gjerman që ishte mjaft i prirur ta sillte Samitin e Berlinit në rajon këtë vit. Jam tejet krenar që Tirana përfaqëson sot rajonin si vendi mikpritës”.

Së dyti, theksoi Rama, “dua t’ju kujtoj se ky proces ka nisur nën kujdesin e Kancelares Merkel në vitin 2014 kur për herë të parë në histori udhëheqësit nga i gjithë Ballkani Perëndimor u ulën së bashku rreth një tryeze, jo për të debatuar për të shkuarën e tyre, por për të folur për të ardhmen e vendeve të tyre”.

“Ashtu siç u shpreh Kancelarja Merkel pikërisht në 2014-ën kur ky proces u çel, është rritur një pemë mjaft e fortë dhe e shëndetshme, tashmë po shohim të marrim frytet sepse pema është pjekur mjaftueshëm për të na dhënë fryte”, tha Rama.

“Sot Shqipëria, e ngritur në një nivel të ri, e vlerësuar së fundmi për progresin ekonomik dhe reformat nga agjencia prestigjoze ndërkombëtare S&P, është kthyer në një platformë diskutimi e bashkëpunimi mes shumë shtetesh, të cilat do të jenë të pranishme në Tiranë edhe me liderët, të cilët do ta përmbyllin këtë organizim të parë të Procesit të Berlinit jashtë kufijve të BE-së , më 16 tetor”, theksoi Rama.

“Besoj fort se në këtë moment mjaft përcaktues për Europën dhe për bashkësinë tonë të vlerave, që është komuniteti i përbashkët i vendeve të BE dhe i vendeve të Ballkanit Perëndimor, ka ardhur tanimë koha të mendojmë jashtë kornizave dhe është pikërisht kjo ajo çfarë po përpiqemi të bëjmë me këtë samit dhe është pikërisht ajo çfarë po ndjejmë nga komunikimet dhe bisedat tona me miqtë tanë të mëdhenj të BE”, tha Rama.

“Dje pata kënaqësinë e madhe të zhvilloja një bisedë mjaft shteruese me mikun tonë këtu nga qeveria e Francës dhe më duhet t’ju them se ishte një bisedë që 5 vjet më parë do të ishte e pamundur të zhvillohej. Gjërat kanë ndryshuar dhe ne shohim me mjaft interes se në BE ka një bindje shumë më të fortë dhe janë më syhapur karshi rëndësisë që Ballkani Perëndimor ka për BE”, vijoi Rama.

“Besoj se nuk e teproj nëse them që sot BE ka nevojë për Ballkanin Perëndimor po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për BE”, u shpreh Rama.

Pra, nënvizoi Kryeministri Rama, “jemi këtu me ministra dhe zyrtarë të shquar nga vende të Ballkanit Perëndimor dhe nga BE për të diskutuar rreth temave më thelbësore të këtij procesi, që përfshijnë forcimin e ekonomive tona, duke përfshirë lidhjet me sferën e aktiviteteve ekonomike të BE-së”.

 

Fraksion.com