AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

Vlerësimi i Standard&Poor’s, Tabaku: Nga daullet e propagandës portofolet e shqiptarëve nuk fitojnë kurrgjë

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku reagoi sot pas vlerësimit të agjencisë prestigjioze Standard&Poor’s për ekonominë shqiptare.

Sipas Tabakut, portofolet e shqiptarëve nuk fitojnë kurrgjë nga ky vlerësim.

“Për të disatin vit me radhë agjencia S&P ka vlerësuar në të njëjtën mënyrë Shqipërinë. Me gjithë daullet e propagandës që bien për arritje, portofolet e shqiptarëve nuk fitojnë kurrgjë. Mjerimi i financave publike shihet në nivelin e korrupsionit përmes taksave korruptive, favorizimeve fiskale dhe planit për rritje taksash në vijim duke filluar nga taksa e pronës tek arsimi. Të gjitha në kurriz të shtresës së mesme”, u shpreh ajo.

Tabaku theksoi se sot, nuk kemi as mirëqenie më të lartë, as më shumë mobilitet social, por në të kundërt ka më shumë pabarazi.

“Informaliteti vijon të jetë mbi 30% ndërsa 95% e shqiptarëve paguajnë më shumë taksa dhe marrin më pak shërbime. Këstet e borxhit kanë përfituar nga rënia e vlerës së euros e cila ka varfëruar prodhuesit dhe eksportuesit. Çmimet e larta të inflacionit rëndojnë të ardhurat e pakta të shqiptarëve ku çmimet e shportës së konsumit rriten me mbi 11% ndërsa pensioni me 50 lekë/ditë”, shtoi ajo.

Tabaku u shpreh se përtej vlerësimit të njëjtë, shqiptarët nuk fitojnë kurrgjë veç dokrrave të hinit që nuk pasurojnë kënd.

 

Fraksion.com