AktualitetKosovaPolitikëTë fundit

Sot ditë zie në Kosovë, Rama: Përulje dhe nderim për efektivin që dha jetën në krye të detyrës

Sot në Kosovë është ditë zie në nderim të efektivit të policisë Afrim Bunjaku, i cili mbeti i vrarë një ditë më parë në në veri të Mitrovicës pas një sulmi me armë zjarri nga një grup i armatosur serb.

Kryeministri Edi Rama shprehet në një status në rrjetet sociale: “me përuljen me nderim për efektivin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili dha jetën në krye të detyrës”.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, mori vendim që dita e hënë, 25 Shtator 2023, të shpallet ditë zie, shtetërore në nderim të policit Afrim Bunjaku, i vrarë në veri të vendit.

“Zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së hënë, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.

Dhimbja për humbjen e rreshterit nuk është vetëm në familjen e të ndjerit, por te çdo qytetar që dëshmoi humbjen e një tjetër bashkatdhetari në mision për të ruajtur integritetin territorial të vendit.

Në trotuaret e qytetit dhe në institucione të ndryshme, mbrëmjen e djeshme u ndezën qirinj për 50-vjeçarin nga Samadrexha e Vushtrrisë.

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës, ambasadori amerikan, kryetari i Komunës së Prishtinës, e policë të tjerë i mbajtën homazhet para Stacionit Policor Qendër në Prishtinë.

Ngjarja e paprecedentë ndodhi në orët e para të mëngjesit në fshatin Banjska të Leposaviçit. Persona të armatosur i bllokuan rrugën makinës së policisë me dy kamionë në aksin Mitrovicë-Leposaviç. Më pas, qëlluan në drejtim të makinës së policisë, ku për pasojë humbi jetën efektivi Afrim Bunjaku.

Me pozicion rreshter, prej vitesh Bunjaku shërbeu në uniformat blu të vendit të tij. Babai i dy djemve dhe një vajze ishte transferuar në Zveçan që pas dorëheqjes së bujshme të serbëve nga strukturat policore. Vetëm para një jave Afrim Bunjaku mori mirënjohje për shërbimin e kryer në Policinë e Kosovës.

Bunjaku e kreu me nder e krenari deri në frymën e fundit detyrën e tij, janë shprehur mes dhimbjes familjarët e heroit.

 

Fraksion.com