AktualitetKosovaTë fundit

Kurti në akademinë përkujtimore për policin Afrim Bunjaku: U eliminuan disa terroristë, nga dje asgjë s’është njësoj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në mbledhjen e sotme komemorative në nderim të rreshterit Afrim Bunjaku që u vra dje nga sulmuesit serbë në Banjskë të Zveçanit.

Ai ka thënë se Policia e Kosovës dje ka pamundësuar një skenar të gjerë kriminal dhe terrorist.

“Me veprimet e saj profesionale dhe të guximshme, Policia e Kosovës dje e pamundësuar një skenar më të gjerë kriminal e terrorist. Le ta themi qartë ashtu siç e thamë dje, Afrim Bunjaku u vra gjatë një sulmi ndaj policëve të Kosovës dhe ndaj vetë shtetit tone nga një grup personash shumë të armatosur dhe të pajisur rëndë të trajnuar profesionalisht dhe me plan, të përkrahur politikisht, të financuar materialisht dhe të mbështetur logjistikisht nga Serbia.”

Kurti tha se janë vrarë disa terroristë dhe kriminelë, mirëpo nuk e tregoi numrin e saktë, derisa shtoi se nga dje asgjë nuk mund të jetë më njësoj.

“Reagimi profesional i policëve rezultoi me eliminimin e disa terroristëve dhe kriminelëve, arrestimin e disa të tjerëve dhe neutralizimin e gjithë grupit të tyre si dhe konfiskimin e armatimit dhe mjeteve mbështetëse logjistike. Nga dje asgjë më nuk mund të jetë njësoj, faktet dolën sheshazi përballë nesh, në sytë tanë dhe të bashkësisë ndërkombëtare, si dhe në sytë e secilit që ka kurajo dhe vullnet për të parë të vërtetën e rajonit në të cilin jetojmë”, tha Kurti. /GazetaExpress.

 

Fraksion.com