Gjermani-Francë – pakënaqësia në çështjet e armatimit rritet
Simbolika ishte e qartë. Për të tejkaluar krizën e bashkëpunimit gjermano-francez, ministri francez i Mbrojtjes, Sébastien Lecornu ftoi homologun gjerman, Boris Pistorius në Evreux. Gati 90 km larg Parisit, bashkëpunimi mes dy vendeve funksionon, si janë shprehur gjithmonë politikanët e dy vendeve prej dekadash. Në Normandi operon edhe një njësi e përbashkët e transportit luftarak, një gurthemel i Marrëveshjes Élysée të vitit 1963.
Shumë projekte francezo-gjermane kanë dështuar
Por retë janë mbledhur mbi bashkëpunimin ushtrarak. Rivalitetet e industrisë dhe interesa të ndryshme politike rëndojnë mbi projektin e përbashkët të tankeve luftarakë, MGCS – një projekt prestigjioz i presidentit, Emmanuel Macron. Në korrik 2017, i sapozgjedhur në post ai vendosi së bashku me kancelaren Merkel një listë projektesh të përbashkëta të armatimit në vlerë 100 miliardë euro.
Parisi apo Berlini?
Kostot për zhvillimin e tankut luftarak, Parisi dhe Berlinin donin t’i ndanin, drejtimi i projektit ishte në dorë të Gjermanisë. Franca nga ana e saj merr përsipër drejtimin e avionit luftarak, FCAS. Tanku luftarak, MGCS do të zhvillohej fillimisht nga një shoqëri “Holding”, KNDS, ku bënin pjesë kompania gjermane, KMW dhe prodhuesi francez i tankeve, Nexter. Qëkur është pjesë e këtij projekti Rheinmetall në vitin 2019, Franca i trembet një mbipeshe gjermane në projekt. Tani projekti mund të hapet edhe për vende të tjera. Italia dhe Holanda kanë shprehur interes për një status vëzhguesi. “Një arrati përpara” e quan Jacob Ross nga Shoqata Gjermane për Politikën e Jashtme, DGAP këtë manovër. Edhe ndryshimi i planit për tankun, që duhet të jetë gati tani në vitin 2040 i përgjigjet këtij modeli. “Por kjo nuk do të thotë sukses për këtë projekt”, sipas Ross. Në një kohë që Franca dhe Gjermania nuk arritën ujdi as në Evreux.
Pajisja e tankut MGCS ka sjellë grindje. Në një kohë që Rheinmetall mbështet idenë e një predhe 130 mm, prodhuesi francez, Nexter këmbëngul për 140 mm. Kalibri vendos për efektivitetin e tankut. Deri tani nuk ka ujdi. Të paktën javët e shkuara, shtabet ushtarake në Berlin dhe Paris ranë në ujdi për një listë të përbashkët nevojash. Dhe dy ministrat e Mbrojtjes, Pistorius dhe Lecornu e miratuan atë. Deri në dhjetor do të verifikohet, se tek cilat pjesë të sistemit të tankut do të marrin drejtimin Franca dhe Gjermania.
Pasojat e luftës së Ukrainës
Progresin e kanë penguar gjithmonë qëllimet e ndryshme strategjike dhe interesat e ndryshme të koncerneve të armatimit. Pas sulmit rus në Ukrainë, kërkesa për tanket luftarakë Leopard 2 është rritur ndjeshëm dhe prodhuesit gjermanë të tankeve duan të sigurojnë tregun me një prodhim të aktualizuar të tipit të tankut Leopard 2. Të dy ministrat theksuan në Evreux, se shtetet i përcaktojnë kërkesat dhe jo industria.
Po tenton Gjermania më shumë pushtet?
Bilanci i ndërmjetëm i iniciativës gjermano-franceze të vitit 2017 është modest: Projekti për përgjuesin e deteve në distancë u hoq nga lista, Gjermania bleu për këtë prodhime amerikane. Berlini është tërhequr edhe nga projekti i përbashkët i helikopterëve luftarakë, Tiger. Élie Tenenbaum nga instituti për politikën e jashtme, IFRI në Paris thekson, se “kthesa epokale” e Gjermanisë ka sjellë zhvendosje të pushtetit. Kancelari, Olaf Scholz vendosi të bëjë Gjermaninë forcë promotore në NATO. “Gjermania dëshiron si tek sistemet antiraketore europiane të bashkëpunojë me një sërë kombesh më të vogla. Franca nuk ka vend në këtë grupim”, thekson Tenenbaum.
Në takimin në Evreux mes dy ministrave, Lecornu dhe Pistorius u fol me tone patetike, por projekti miliardësh nuk mund të shpëtohet me politikë simbolike. Ka mundësi që në fund parlamentet do të kenë detyrën e pakëndshmë të shuajnë edhe një projekt tjetër të armatimit gjermano-francez. Për secilin nga projektet e mëdha deputetët duhet të miratojnë financimin. Në Bundestag janë rritur kritikat për këtë projekt. Macron është i varur nga mbështetja e opozitës po ashtu në Asamblenë franceze, dhe opozita e shikon projektin e tankut MGCS me sy kritik. Eksperti Ross mendon, se nëse “projekti MGCS dështon, atëherë do të dështojë edhe projekti për avionin luftarak, FCAS. Këtë e ka vendosur Bundestagu qartë. Për Macron kjo do të ishte një humbje e ndjeshme, të cilën opozita mund ta përdorë kundër tij.”/DW
Fraksion.com