AktualitetPolitikëTë fundit

Spiropali: Indeksim 8.6% për të gjitha pensionet nga data 1 tetor

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi sot se, qeveria do të indeksojë të gjitha pensionet duke filluar nga data 1 tetor në masën 8.6%

Në fjalën e saj në seancën plenare të Kuvendit, Spiropali tha se, “ka një gjë besoj na bashkon ne të gjithëve në këtë sallë, por dhe ata që protestojnë me zhurmë jashtë, diçka që jam e bindur se është e përbashkët edhe me një shumicë dërrmuese të heshtur që mendon njëlloj. Brezi ynë, të gjithë ne që kemi prindër dhe të afërm në moshën e tretë, në pension kemi një borxh të jashtëzakonshëm moral, politik dhe financiar me ta. Ky borxh nuk ka asnjë mundësi reale shlyerje, por që mund të tkurret sadopak nga kërkimi i një ndjese të përulur që nuk kemi mundur të bëjmë më shumë për të gjithë ata që dje jepnin mësim apo mjekonin dhembje, që ndërtonin rrugë, apo prodhonin grurë, që thanin këneta të shtyrë nga besimi se po ngrinin themelet e një bote të re apo me përdhunë si viktima të asaj ideologjie vrastare, fesë së komunizmit dhe të Hoxhës”.

“Shpërblimi moral që kanë marrë shpesh ka qenë krejtësisht i kundërt me atë që meritonin, shpesh i kanë quajtur skllevër të sistemit dhe çizme të tij, edhe kur në punë të thjeshta dhe të ndershme, punonin me luftën për mbijetesë për të ushqyer veten e për të rritur fëmijët. Qëndrimi politik ndaj tyre dhe këtu zënë fill jo vetëm diferencat mes nesh, por edhe vullneti për ta ndryshuar. Kontrast, nga hipokrizia e fjalëve nga disa, tek ndryshimi dhe dinamika për të ndryshuar qasjen ndaj kësaj armate qindra mijëshe që meriton respekt dhe dinjitet”, u shpreh Spiropali.

“Por edhe respekti dhe dinjiteti, kur je i varfër dhe në pamundësi për të siguruar nevojat bazë për të blerë bukën e përditshme, apo ilaçet e pensionit, për të paguar dritat e ujin, apo teshat e trupit është e vështirë. Ndaj fokusi i kësaj qeverie dhe i qeverive Rama në një dekadë rresht ka tentuar pikërisht këtë gjë. Ne nuk kemi bërë të gjitha ato që kemi dashur dhe do të donim, por e sigurt është që ne kemi bërë sa kemi mundur”, tha ajo.

Ministrja nënvizoi se, “pensionet janë indeksuar, në vitin 2018 në masën 2.85, në 2019 2.8%, në 2020 janë indeksuar në masën 2.3%, në 2021 janë indeksuar në masën 2.7%, në vitin 2022 janë indeksuar 2 herë pensionet. Një herë në masën 3.3% dhe herën e dytë ne masën 6%. Pra një total rreth 9.5%. Buxheti për këto indeksime ka qenë vetëm këtë vit 5.4 miliardë me një efekt mbetës për vitin 2023 në masën 12.6 miliardë lekë”.

“Qeveria ka adresuar në mënyrë të shpejtë problemin e rritjes së çmimeve dhe të inflacionit për shkak të luftës në Ukrainë dhe ndryshimeve në ekonominë botërore. Si çdo vit edhe sivjet kemi marrë vendimin për indeksimin e pensioneve duke filluar nga data 1 tetor në masën 8.6% për të gjitha pensionet. Kjo rritje mbulon ndryshimet e çmimeve për periudhën gusht 2022, deri në gusht 2023”, u shpreh Spiropali, teksa shtoi se, “indeksi i çmimeve të konsumit për të njëjtën periudhë për totalin e popullatës ka qenë 6.1%”.

Kjo, vijoi ministrja, “dëshmon për detyrimin e ndjerë për këtë shtesë të popullsisë dhe njëkohësisht kompensimin e rritjes së çmimit të mallrave që konsumojnë pensionistët. efekti për këtë indeksim është 3.1 miliardë lekë dhe vetëm ky indeksim do të kushtojë për vitin 2024, 12.1 miliardë lekë, ose 120 milionë dollarë. Në total vetëm nga indeksimi i pensioneve janë dhënë rreth 20.2 miliardë lekë, mbi 200 milionë dollarë dhe fondi i pensioneve ka mbërritur në 170 miliardë”.

“Krahas indeksimit të pensioneve janë dhënë çdo vit bonuset në fundvit për pensionistët në masën 5 mijë lekë dhe kanë përfituar mesatarisht 695 mijë pensionistë me një efekt financiar total prej 16.3 miliardë lekë, ose 3.5 miliardë lekë në vit. Totali i banueseve të shpërndara në këto 5 vitet e  fundit është 31 miliardë lekë ose rreth 310 milionë dollarë. Për të mbrojtur pensionistët me të ardhura minimale ose të vetmuar që janë dhe grupi më i goditur nga inflacioni dhe nga çmimet si dhe grupi më i margjinalizuar ndoshta në shoqëri, qeveria ka kompensuar çmimin e energjisë elektrike”, u shpreh më tej Spiropali.

 

Fraksion.com