“Kërceni lakuriq mbi tavolina”, Paloka ironizon, Felaj lexon shkresën: S’keni njoftim, por hartim
Deputeti Edi Paloka i ka kërkuar drejtueses së Kuvendit që të lexojë shkresën që i ka ardhur sipas tij nga kreu i grupit parlamentar i PD, Gazment Bardhi.
Por sipas Felaj nuk ka një njoftim të mirëfilltë, teksa tha se nga mënyra sesi është shkruar duket si një hartim. Ajo tha se në këtë shkresë thuhet se deputetët “konfirmojnë Bardhin si kryetar”, dhe se sa kohë konfirmohet do të thotë që nuk ka ndryshim dhe nuk ka arsye për njoftim.
Pjesë nga debati:
Edi Paloka: Jeni duke tejkaluar cdo imagjinatë në lidhje me shkeljen që po i bëni rregullores. Po e shkelni me vetëdije. E di që jeni po aq e bindur që po e shkelni me vetëdije rregulloren. E dini që nuk vendosin statutet e partive, por një rregullore që e keni miratuar ju. Ju jeni e urdhëruar nga Rama ta bëni këtë, por do u veja para një situate, që ta kuptoni ç’po bëni…
Nëse Rama do u thonte të kërcenit gjithë përpjetë sipër tavolinave lakuriq, jam i sigurt që nuk do e bëni, por ajo që po bëni është e njëjta gjë, kështu që deri sa ta vazhdoni këtë farsë, mendoni sikur jeni duke kërcyer para shqiptarëve lakuriq.
Është më e ndershme për ju që të ndryshoni kodin, kërpëratën e keni, merreni dhe bëjeni, bëjeni mo se është me ndershme se shumicën e keni.
Ermonela Felaj: Rregulloren e kemi miratuar bashkë dhe s’ka ndryshime të njëanshme. Për formimin e grupeve parlamentare, këto janë të vendosura që në krye të herës, që s’kemi qenë shumë prej nesh në Kuvend.
Ky njoftim se as njoftim s’është se nga mënyra e shkruar është si hartim… ‘ne ju konfirmojmë thuhet se kryetar është Bardhi’, dhe qartësisht konfirmimi nuk është ndryshim dhe s’ka nevojë të bëhet njoftim kur nuk ka ndryshim.
Për një çështje të grupit nuk ishte pse të flisnin deputetë që janë jashtë grupit. Kuvendi i gatshëm të veprojmë komform rregullave, ndaj deputetët që janë pjesë formalisht të PD, thirrni arsyes dhe bëjini vetë rregullimit brenda grupit. Nuk mund ta bllokoni kuvendin me çështje të brendshme. Nuk zgjedhim ne grupin tuaj. Nëse bie në 7 numri, do të thotë që nuk ka më një grup. Ne kemi të njëjtat grupe parlamentare, dhe deputetë jashtë grupeve.
Në 17 janar, Bardhi shkruan në ’emër të PD pas vendimeve të kryesisë dhe këshillit të PD ju njoftojmë se në mbledhjen e grupit të PD kryetar është Alibeaj’, dhe këtë njoftim e keni bërë si sekretar i përgjithshëm i PD. Ju lutem shikoni veprimet tuaja.
Fraksion.com