Balla: Ndërhyrje e vendosur kundër përdorimit të lëndëve narkotike, të rinjtë rrezikojnë të ardhmen
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, nga foltorja e Kuvendit bëri të ditur se qeveria po punon për hartimin një drafti ligjor, që synon të cilësojë si lëndë të ndaluar për përdorim atë që në lokalet e Tiranës tregtohet si tullumbace me oksid azoti.
Në fjalën e tij, përpara deputetëve në Kuvend, Balla tha se i ka kërkuar Policisë së Shtetit që të identifikojë të gjitha lëndët narkotike që qarkullojnë në vendin tonë.
“Policia po e bazon veprimin e vet dhe goditjen e vet në mungesë të legjislacionit që ne do ta sjellim shumë shpejt në Kuvend, për ta klasifikuar edhe këtë formë të oksidit të azotit në një lëndë të palejuar, edhe pse ligji e ka lejuar”, nënvizoi Balla.
Sipas tij, “kjo lëndë ka hyrë prej vitesh në Shqipëri, duke paguar doganën. Por, ne jemi duke e bazuar veprimtarinë tonë goditëse në disa konventa të Kombeve të Bashkuara, që e konsiderojnë atë si një lëndë që duhet vendosur nën kontrollin e shtetit për mënyrën e veprimtarisë së saj, pasi është përdorur në klinika stomatologjike për moshat e vogla, për të lejuar mjekun stomatolog për të bërë ndërhyrje tek fëmijët”, tha Balla.
Ministri i Brendshëm bëri të ditur gjithashtu se kërkon bashkëpunimin e opozitës për paketën e sigurisë në shkolla dhe në veçanti, në luftën ndaj narkotikëve. Ai këtu kujtoi angazhimin e qeverisë për të ashpërsuar dënimet penale. Sipas Ballës, opozita duhet të japi votën pro për ndryshimet në Kodin Penal, duke lënë ndasitë politike menjëherë dhe duke menduar për gjeneratën e ardhshme të vendit tonë.
“Meqenëse e mora fjalën, do doja t’i kërkoja Kuvendit mbështetjen e plotë, pa asnjë dallim, të majtë dhe të djathtë, për paketën e sigurisë në shkolla. Kjo nuk është politikë e ditës”, tha Balla.
“Dhe sa herë që përflasim për këtë çështje, mendoj që të sjellim në vëmendjen tonë një shtetar si Wiston Churchill, i cili besoj që e ka perifrazuar më mirë se kushdo tjetër, dallimin mes politikanit dhe shtetarit. Politikan është ai që mendon për zgjedhjet e radhës, shtetari është ai që mendon për gjeneratën e radhës”, vijoi Balla.
Ministri i Brendshëm vuri në dukje se të rinjtë janë përballë një sfide të rrezikshme për të ardhmen e tyre, e kjo vjen për shkak të përdorimit të lëndëve narkotike, si dhe atyre sintetike.
“Unë mendoj që të rinjve shqiptarë sot, por jo vetëm shqiptarë, është një sfidë globale, i rrezikohet një e ardhme më e mirë nëse ne nuk ndërhymë sot me forcë, kundër përdorimit të lëndëve narkotike. Këtu s’dua të sjell një shifër shqiptare. Dua të ndaj me ju një shqetësim të sekretarit amerikan Blinken. Ai në pranverë të këtij viti, ndërsa me porosinë e presidentit Biden, njoftonte krijimin e një koalicioni botëror kundër drogës, solli një shifër që është shumë domethënëse. Gjatë vitit 2022 në SHBA ndodhën 110 000 vdekje për shkak të përdorimit të lëndëve narkotike dhe për shkak të overdozës. Nga të cilat 2/3-at e tyre shkaktohen nga përdorimi i një droge sintetike opiride e cila vjen nga Kina, shkon në Meksikë dhe prej aty hynë në SHBA. Dhe 2/3 e 110 000 viktimave janë shumë. 110 000 viktima, janë shumë më shumë sesa shtetasit amerikan, që kanë humbur jetën gjatë Luftës së Dytë Botërore në përballje me nazistët”, tha Balla.
“Natyrshëm që, edhe në Europë ka një situatë të ngjashme edhe pse drogat sintetike nuk kanë hyrë ende. Gjatë kësaj vere, Policia e Shtetit ka arritur të godasë një sërë grupesh kriminale që kanë tentuar apo tentojnë të fusin drogëra në Shqipëri përveç atyre që kemi njohur tradicionalisht”, vijoi Balla.
“Gjatë operacionit kombëtar ‘Tempulli” u arrit të identifikohen dhe drogëra që kanë hyrë në Shqipëri nga vende të sigurta si SHBA, Kanada…etj. Prandaj na duhet që në kuadër të këtij koalicioni mbarëbotëror, kundër drogës të kemi dhe ne një mirëkuptim të gjithë bashkë, se lufta kundër këtij fenomeni t’i tejkalojë ndasitë e vjetra politike. Do të sjellim në Kuvendin e Shqipërisë shumë shpejt ndryshimet në Kodin Penal. Unë besoj që ndjesia e shtetarit duhet të prevalojë mbi nevojën e politikanit. Besoj që deputetët e kuvendit të Shqipërisë edhe për shkak se kjo kërkon 3/5 e anëtarëve të kuvendit t’i mbështesin. Ndryshimet që ne duam mbështetjen tuaj, për të garantuar, që çdo keqbërës të ndalohet përpara se të ketë mundësi t’u afrohet fëmijëve tanë”, nënvizoi Balla.
Ministri Balla pati vlerësime dhe për prokurorinë dhe gjykatat.
“Mund të kem pasur shpeshherë në këtë foltore pakënaqësitë e mia ndaj gjykatave dhe prokurorisë, por në këtë rast, shumë mirënjohje dhe falënderim për ata prokurorë dhe gjyqtarë të cilët konfirmuan ato prova që prezantoi, dokumentoi policia e shtetit. 213 prej tyre janë sot në burg. 19 janë në arrest shtëpie. Këmba këmbës jemi duke kërkuar dhe 43 të tjerë që janë në kërkim nga policia. Natyrshëm që do të gjenden dhe do të vendosen përpara drejtësisë. 23 grupe kriminale sot kanë marrë një goditje. KA mes tyre edhe drejtues të atyre grupeve kriminale”, theksoi Balla.
Në fund, Balla lajmëroi se EUROPOL ka goditur një grup kriminal që veprimtarinë e saj e zhvillonte në Spanjë dhe Shqipëri.
“Dua të ndaj me ju dhe informacionin e Europolit që sapo është goditur një grup i madh kriminal që zhvillonte aktivitetin e vet sa në Spanjë sa në Shqipëri. Ku njëri që bërtet dhe ka pasur mundësi të shihte dhe ministër i brendshëm në Shqipëri duhet që ta përshëndesë kur policia bën punën e vet”, përfundoi Balla.
Fraksion.com