AktualitetPolitikëTë fundit

Rama drejton Debatin e Nivelit të Lartë në KS: Lufta e Ukrainës e gjithkujt që aspiron botë të lirë, agresioni rus vuri në rrezik Europën

Kryeministri Edi Rama po drejton në selinë e OKB në Nju-Jork, Debatin e Hapur të Nivelit të lartë, ku Presidenca Shqiptare e Këshillit të Sigurimit drejton një nga sesionet më të rëndësishme me temë “Respektimi i qëllimeve dhe i parimeve të Kartës së OKB-së nëpërmjet multilateralizmit: “Ruajtja e paqes dhe sigurisë së Ukrainës”.

Në tryezë merr pjesë Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe 50 krerë shtetesh.

Rama tha se “axhenda e përkohshme është: ruajtja e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, respektimi i qëllimeve dhe parimeve të Kombeve të Bashkuara, Kartës së saj përmes aksionit shumëpalësh efektiv, ruajtjes së paqes dhe sigurisë së Ukrainës”.

Më tej, Rama në deklaratën e tij në cilësinë si Kryeministër i Shqipërisë falënderoi presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky për fjalën e mbajtur në Debatin e Hapur të Nivelit të lartë në Këshillin e Sigurisë.

“Faleminderit që jeni këtu! Prania e një numri të konsiderueshëm personalitetesh flet vetë për rëndësinë që ka kjo çështje që diskutojmë. President Zelensky, jam mirënjohës për praninë tuaj këtu në një moment kaq tragjik të historisë së vendit tuaj. Fjalët Tuaja të forta përkthejnë dhimbjen e bashkatdhetarëve tuaj dhe përcjellin tejet qartësisht, së bashku me vendosmërinë tuaj të palëkundur, kurajon e popullit tuaj me shpresën e patjetërsueshme të kombit tuaj”, theksoi Rama.

Ndërkohë që, vijoi Rama, “bota sot ka nevojë për një ndjenjë të fortë përgjegjësie prej të gjithëve ne për t’u përballur me sfida e kërcënimet e shumëfishta që haset planeti ynë, konflikte, kahje jo kushtetuese të pushtetit, ndryshimi i klimës, përmbytje shkatërrimtare e thatësira që nuk kursejnë, përfshi zjarre masive të paparashikuara. Ajo çfarë dëshmojnë janë qëndrime gjithmonë e më tepër përçarëse, vepra shkatërrimtare e konfliktualitet midis e brenda shteteve”.

“Kush mund ta përfytyronte jo shumë kohë më parë, që në dekadën e tretë, të shekullit XXI, një luftë shkatërrimtare, e nisur nga një anëtare e përhershme e këtij Këshilli, do ta vinte Europën në rrezik. Kush do të mund ta përfytyronte vetëm pak vite më parë, që një agresion i pajustifikuar, i padrejtë, i paprovokuar ushtarak i një vendi të madh ndaj një demokracie të re, nuk do të dënohej menjëherë botërisht nga të gjitha kombet që mblidhen këtu dhe ndajnë të njëjtat objektiva e parime”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “si ti kuptojmë, apo iu bëjmë thirrje të dyja palëve me argumente që synojnë të shmangin që ti thuhet bukës, bukë, e që refuzojnë ta quajnë agresionin mizor me emrin e vet të vërtetë. Një tragjedi e bërë nga duart e njerëzve që po shkakton vuajtje të pa rrëfyera, qytetarëve ukrainas, por edhe që po jehon përmes rajoneve të botës, duke cenuar rritjen, duke rritur çmimet dhe duke kërcënuar me uri qindra miliona njerëz. Një agresion në zemër të Europës nuk mund të jetë vetëm problemi i Europës, siç disa mendojnë, thonë apo pëshpëritin. Cinikët mund të mendojnë se ky është një problem që i ka rënë për hise perëndimit demokratik që  të merret me të. Madje dhe mërmërisin që në fakt çfarë ka bërë, do të bëhet. Duke nënkuptuar se është një lloj haku i natyrshëm, për diçka që mund të ketë ndodhur diku në kohë të tjera.Kështu është vërtetë?! Iu ftoj të gjithëve të mendoheni dy herë”.

Kjo luftë agresioni, vijoi Rama, duhet të jetë një punë për të gjithë, e më lini t’iu kujtoj me një parafrazim, rrëfimin tragjik të Martin Niemöller.

“Së pari erdhën të merrnin Gjeorgjinë, e nuk bëra  zë. E më pas erdhën për Krimenë, nuk ishte vendi im, kështu që nuk fola. Më pas erdhën për të gjithë Ukrainën, por nuk isha ukrainas, e kësisoj nuk thashë asnjë fjalë. E më pas erdhën për të marrë mua, por askush nuk kish mbetur për të më mbrojtur”. Ndërkohë që flasim, më shumë se 26 mijë civilë kanë vdekur. Nesër numri do të jetë më i lartë, e do të rritet, çdo ditë që kalon për aq kohë sa do të vazhdojë kjo luftë. Duke pasur parasysh vringëllimën e pajustifikuar bërthamore, që vjen hera-herës nga nivele të ndryshme të Kremlinit, kemi të drejtë të trembemi që një ditë kjo çmenduri  të shndërrohet edhe në diçka më të keqe. E mos harroni që po është po aq e imagjinueshme sot, sa ishte një luftë dje e tillë dje. Shkëlqesi, kemi detyrën të ndihmojmë ata që janë në nevojë në këtë drejtim, Ukrainën dhe ukrainasit”, nënvizoi Rama.

Mund të kemi dallime, shtoi Rama, sigurisht që mund të kemi dallime për mënyrën se si ta mbështesim Ukrainën në luftën e vetë për liri dhe dinjitet, mund të kemi pikëpamje të ndryshme për mënyrën se si do të përfundojë kjo luftë dhe ti diskutojmë, por do të ishte një fyerje për inteligjencën e kësaj organizate në qoftë se nuk pranojnë njëzëri dhe nuk themi me zë të lartë, kush është agresori dhe kush është viktima e agresionit.

“Është i njëjti dallim i mprehtë midis luftës e paqes, siç do t’iu kujtonte Tolstoi. Kthehuni dhe lexojini edhe njëherë. Nëse nuk pranojmë këtë të vërtete të qartë si kristali, jo vetëm që po zhgënjejmë Ukrainën dhe popullin e saj, po gjithashtu edhe nuk po përmbushim përgjegjësinë tonë, po komprementojmë të ardhmen dhe po tradhtojmë të gjithë fëmijët tanë. Lufta e Ukrainës është një luftë e gjithkujt që aspiron të jetojë në një   botë ku kombet janë të lira e të barabarta, ku tërësia  territoriale është e patjetërsueshme, dhe e drejta për të jetuar në paqe e padiskutueshme. E kundërta jo vetëm është ditë shkurtër, por tejet e rrezikshme për të gjithë që janë në këtë çati.Për këtë arsye të gjithë duhet të luajnë rolin e tyre”, tha Rama.

 

Fraksion.com