Rama në SHBA, takim me ministrin e Jashtëm britanik, Cleverly
Kryeministri Edi Rama ndodhet në New York, SHBA, ku do të marrë pjesë në Javën e Nivelit të Lartë të Sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB.
Kryeministri Rama pati takim me ministrin e Jashtëm britanik, James Cleverly. Lajmin e bëri të ditur vetë Kryeministri duke publikuar momente nga takimi në rrjetet sociale.
Delegacioni shqiptar në OKB kryesohet nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dhe pjesë e tij janë Kryeministri Edi Rama dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
Shqipëria për herë të parë në historinë e anëtarësimit të saj në OKB mban që prej janarit të vitit 2022 vendin e anëtarit jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, mandati dyvjeçar i të cilit përfundon në dhjetor të këtij viti.
Ndërkohë, në vend ka nisur zbatimi i marrëveshjes mes Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë në lidhje me transferimin e të burgosurve shqiptarë që ndodhen në Mbretërinë e Bashkuar.
Zbatimi i marrëveshjes hyn në fuqi pas nënshkrimit nga kryeministri Edi Rama dhe kryeministri britanik Rishi Sunak në dhjetor 2022 si dhe pas diskutimeve që dy liderët zhvilluan në Londër në mars 2023.
Prej komunikatës së përbashkët të dhjetorit 2022 të kryeministrave të dy shteteve, Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria e kanë përforcuar edhe më shumë bashkëpunimin mes tyre.
Gjatë kësaj periudhe, numri i shtetasve shqiptarë që shkojnë në mënyrë të paligjshme drejt Mbretërisë së Bashkuar ka rënë me 90 % krahasuar me vitin e shkuar.
Fraksion.com