AktualitetTë fundit

Censi 2023, Dhuli: Rreth 11000 pyetësorë të plotësuar në ditën e parë, reagim pozitiv i qytetarëve

Drejtoresha e Institutit të Statistikave, Elsa Dhuli,  ka dhënë detaje lidhur me procesin e nisur një ditë më parë për regjistrimin e popullsisë dhe banesave.

Dhuli deklaroi sot se stafi i trajnuar ka qenë i angazhuar gjatë gjithë ditës në terren ndërsa qytetarët kanë reaguar pozitivisht duke iu përgjigjur pyetësorit.

Ajo theksoi se në ditën e parë janë kryer rreth 11000 pyetësorë.

Drejtoresha e INSTAT ka ritheksuar se pyetësori është i detyrueshëm dhe nëse nuk realizohet, do të ketë penalitete. Refuzimi për të dhënë informacionin e kërkuar ose dhënia e informacionit të rremë, sipas nenit 5 të këtij ligji, me gjobë nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë.

Censi i popullsisë dhe banesave do të zgjasë për 6 javë, ku mbi 7 mijë e 500 anketues, mbikëqyrës dhe kontrollorë do të jenë në terren.

Sipas ligjit, çdo person, i cili në periudhën që do të kryhet Censi është banor i zakonshëm brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, është i detyruar të sigurojë informacionin e kërkuar në pyetësorët e Censit, në një mënyrë të plotë, të saktë dhe të besueshme. Përjashtimet e vetme janë pyetjet në lidhje me identitetin etnik, fenë dhe gjuhën, për të cilat mund të zgjidhni opsionin “Preferoni të mos përgjigjeni”./ATSH

 

Fraksion.com