BE-ja thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbushin marrëveshjet e arritura në bisedime
Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se ministrat e Jashtëm të bllokut u bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbushin detyrimet që dalin nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, dhe u shprehën të shqetësuar me mungesën e përparimit të takimin e javës së kaluar mes palëve në Bruksel.
Zoti Borrell informoi të hënën në mbrëmje ministrat e Jashtëm të BE-së për takimin e 14 shtatorit në të cilin palët dështuan të arrijnë ndonjë përparim.
“Ministrat shprehën shqetësimin me mospërmbushjen e detyrimeve nga marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Dyja palët janë pajtuar në këtë rrugë të normalizimit më herët këtë vit. Është një detyrim dhe Këshilli i ministrave po u kërkon palëve të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe frymë të mirë për zbatimin e saj”, tha zoti Borrell.
Të dyja palët u pajtuan në muajin shkurt në Bruksel dhe në muajin mars në Ohër për një marrëveshje të mbështetur në një plan evropian që nuk përfshinë njohjen e ndërsjellë por kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ai kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese dhe parasheh përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Ajo që ne duam, ajo që kërkojmë është që të fillojë zbatimi në bazë të propozimit tonë pa vonesa të mëtejshme. Dhe kjo përfshin detyrimin që të dyja palët të zbatojnë plotësisht marrëveshjet e mëhershme”, tha zoti Borrell.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nuk u pajtuan javën e kaluar rreth hapave për zbatimin e marrëveshjes ndërsa zyrtarët evropianë thanë se ishte kryeministri Kurti ai që nuk e pranoi një propozim për “përmbushje të njëkohshme” të detyrimeve që dalin nga marrëveshja e Ohrit.
Kryeministri Kurti fajësoi të hënën të dërguarin evropian për bisedimet Kosovë – Serbi Miroslav Lajçak për dështimin e bisedimeve duke e akuzuar atë për njëanshmëri e qëndrime kundër Prishtinës.
Nuk pati ndonjë reagim të menjëhershëm nga Bashkimi Evropian, por zoti Borrell tha të hënën se ministrat e Jashtëm të bllokut ritheksuan mbështetjen e plotë ndaj ndërmjetësuesve.
Departamenti Amerikan i Shtetit në një deklaratë për Zërin e Amerikës vlerësoi të hënën ato që i quajti përpjekje të palodhura të zotit Lajçak në bisedimet Kosovë-Serbi.
Në Nju Jork dy zyrtarët e lartë amerikan, Derek Chollet dhe Gabriel Escobar thanë se diskutuan me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani për “angazhimin tonë të përbashkët për të ardhmen euro-atlantike të Kosovës, nevojën për të ulur tensionet dhe për t’u angazhuar urgjentisht në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë – që është çelësi i qëndrueshmërisë rajonale dhe integrimit në Bashkimin Evropian”.
Diplomatët perëndimorë po bëjnë thirrje që palët të përshpejtojnë procesin e normalizimit mes shqetësimeve për ripërtëritje të dhunës në rajonin që ende po rimëkëmbet nga luftërat e viteve të 90-ta.
Ekziston një frikë e përhapur në Perëndim se Rusia mund të përdorë Beogradin për të nxitur konfliktet etnike në Ballkan, për të tërhequr vëmendjen e botës nga agresioni i saj në Ukrainë./voa
Fraksion.com