AktualitetPolitikëTë fundit

Adriatik Lapaj prezanton partinë “Shqipëria bëhet”

Aktivisti Adriatik Lapaj ka prezantuar ditën e sotme lëvizjen e tij politike të lajmëruar prej kohësh, e cila zyrtarisht mësohet se quhet “Shqipëria Bëhet”.

Lapaj është shprehur se nisja e këtij rrugëtimi ishte vendimi më i vështirë që ka marrë ndonjëherë.

Ai shtoi se në vend duhet të hapet gara politike dhe të miratohet ligji për referendumet duke sjellë demokracinë e drejtpërdrejtë.

“Nuk do ju tregoj si është Shqipëria dhe si arritëm në këtë gjendje. Sot do ju flas si mund ta ndryshojmë dhe ta bëjmë një vend normal Shqipërinë. Unë besoj te cilësia e individit, por që ky i fundit të performojë duhet të garantohet shpërfaqja e tij në shoqëri.

Për të siguruar rregullat na duhet shoqëria. Na duhet të shkëpusim shoqërinë nga koncepti i mikut, partisë, etj. Të drejtën e studimit duhet ta japë ligji, vendin e punës duhet të fitosh në bazë të ligjit. Kujdesin shëndetësor duhet ta kesh në bazë të ligjit. Rimbursimet duhet të sigurohen nga ligji.

Duhet të shembim sistemin e kapjes së ekonomisë së shtetit nga pak duar. Kujtoj këtu ligjin për koncesionet, ligjin për PPP. Duhet të rishpërndajmë pasurinë e vendit përmes një kuadri të ri ligjor. Për të arritur këtu, duhet të shkojmë aty ku ka burimin problemi.

Duhet të hapim garën politike. Nëse s’ka garë politike, s’mund të ketë asnjë garë tjetër në vend. Populli sot është dekor i një republike që komandohet nga kolltukët e Tiranës. Duhet të miratojmë ligjin për referendumet dhe të sjellim demokracinë e drejtpërdrejtë. Nuk ka rrugë tjetër përveç bashkimit.

Askush nga ne nuk ka fuqi të mbinatyrshme. Qytetarët shqiptarë, nëse bashkohemi ne mund t’ia dalim. Askush të mos presë të dërguarin e Zotit të shpëtojë jetët tona. Duhet organizim për qëllimin tonë.

Ky është vendimi më i vështirë që më është dashur të marr ndonjëherë. Mund të isha ulur në kolltukë si ata të tjerët, por besoj se meritojmë një të ardhme tjetër. Deri sot pesha e përgjegjësisë ishte mbi mua, por nga sot ne jemi ne”, u shpreh ai.

Deklarata për shtyp nga partia “Shqipëria bëhet”:

Të nderuar përfaqësues të medias,

‘Shqipëria Bëhet’, një ekip me qytetarë active dhe profesionistë të fushave të ndryshme, nis sot rrugëtimin e saj zyrtar, si një lëvizje mbarëqytetare.

Në konsultim me qytetarë dhe ekspertë, rrugëtimi ynë do të shtrihet në Shqipëri dhe Diasporë, duke përfshirë këtu forume në 61 bashkitë e vendit, advokim legjisltativ dhe debat publik, për t’i dhënë peshë mendimit, fjalës dhe të drejtës së qytetarit.

Në kushtet në të cilat vendi ynë ndodhet, lidhur kjo me situatat e bartura politike, të cilat nuk i kanë sjellë Shqipërisë asnjëherë demokracinë e merituar dhe garën e vërtete, ne shohim si të domosdoshme:

a) Nevojën urgjente të angazhohemi për hapjen e një debate kombëtar për vendosjen e demokracisë reale, pluralizmit real dhe shtetit të së drejtës.

b) Inicimin e një bashkimi mbarëkombëtar përtej ndarjeve ideologjike për të imponuar themelet e demokracisë reale.

c)Nevojën për një lëvizje intelektuale dhe të unifikuar mbarëkombëtare për të diskutuar dhe konkluduar për imponimin e një reforme totale kombëtare të fokusuar në:

1. Reformimi i sistemit zgjedhor në Shqipëri duke hapur konkurrencën nëpërmjet hapjes së listave, kufizimit të mandateve qeverisëse dhe përfaqësuese

2. Miratimi i ligjit “Për referendumet” në Republikën e Shqipërisë;

3. Miratimi i votes së emigrantëve duke përcaktuar modalitetet e përfaqësimit të tyre.

4. Depolitizimi i administrates zgjedhore në të gjitha nivelet duke e hequr atë nga politika dhe duke e kaluar në profesione të lira (avokat, noter, profesionistë të licencuar, si dhe përfaqësues të sistemit të drejtësisë si gjyqtarë dhe prokurorë);

Në kuadër të pikave të mësipërme, ‘Shqipëria Bëhet’ do të shtrijë takimet e saj me qytetarë dhe ekspertë, në Shqipëri dhe Diasporë, duke e nisur të shtunën se 23 Shtatorit me banorët e Mirditës.

Duke iu falenderuar përprezencën dhe bashkëpunimin, ju ftojmë të na kontaktoni për cdo informacion të mëtejshëm.

 

Fraksion.com