AktualitetPolitikëTë fundit

Votimi i Ervin Metes si ministër i Financave, Bardhi: Dekreti i Presidentit është antikushtetues

Gazment Bardhi, deputet i Partisë Demokratike, nga salla e Kuvendit ka akuzuar Presidentin  e Republikës, Bajram Begaj, se ka shkelur Kushtetutën me dekretimin e Ervin Metes si ministër i Financave dhe Ekonomisë.

Sipas Bardhit, ky dekret vjen në shkelje me nenin 103 të Kushtetutës, i cili ndalon emërimin në pozicionin e ministrit të një zyrtari që ka një funksion publik dhe Mete në kohën kur është bërë emërimi ishte kryetar i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

“Ju sapo votuat dekretin e Presidentit për emërimin e ministrit të Financave që është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Më konkretisht, në kundërshtim me nenin 103 të Kushtetutës”, tha Balla.

“Presidenti ka dekretuar në pozicionin e ministrit një zyrtar publikë që s’mund të emërohej për shkak të ushtrimit të një funksioni tjetër publik. Shkarkimi i Metes është bërë në seancën e së hënës, disa ditë pasi Presidenti i Republikës, në kundërshtim me nenin 103 të Kushtetutës kishte bërë emërimin e tij si ministër”, vuri në dukje Bardhi.

Deputeti i Partisë Demokratike akuzoi edhe kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla, pasi sipas Bardhit, duhet ishte kryetarja e Kuvendit që duhet t’ia kishte vënë në dukje Presidentit këtë shkelje.

“Duhet të ishit ju, që të kujdeseshit për t’ia kujtuar Presidentit të Republikës se ka sjellë dekret në kundërshtim flagrant me Kushtetutën. Seanca plenare pra sapo ka votuar pro një dekreti në kundërshtim me Kushtetutën”, u shpreh Bardhi.

Në çelje të seancës plenare, Ervin Mete, u votua si ministër i Financave dhe Ekonomisë me 74 vota pro.

 

Fraksion.com