Trafikonte narkotikë, arrestohet oficeri i policisë në Cërrik
Një oficer policie dhe një i shpallur në kërkim janë arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore këtë të enjte. Punonjësi i policisë u ndalua, pasi dyshohet se është i përfshirë në aktivitetin kriminal të shpërndarjes/shitjes së lëndëve narkotike.
Sipas një reagimi në rrjetet sociale, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore bëri të ditur se në total ka finalizuar dy procedime penale, duke arrestuar 3 shtetas, njëri prej të cilëve oficer policie, ndërsa 1 shtetas tjetër është shpallur në kërkim.
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (rajoni Elbasan – Korçë) në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Vendore të Elbasanit, nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka ekzekutuar urdhrin e ndalimit të Prokurorit ndaj shtetasit S.H., 38 vjeç, me detyrë punonjës policie, oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Cërrik, ndërsa u shpall në kërkim shtetasi L.T., 44 vjeç, bashkëpunëtor në këtë aktivitet kriminal me punonjësin e policisë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve””, njoftoi AMP.
“Punonjësi i policisë S.H. rezulton i implikuar në aktivitetin kriminal në formën e shpërndarjes/shitjes së lëndëve narkotike, favorizimit të shtetasve të ndryshëm në këtë aktivitet, fshehjen e personave në kërkim, shitjen e armëve dhe municioneve luftarake kundrejt përfitimeve në lekë, në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës, Ai është i dyshuar se ka konsumuar veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve””, vijoi njoftimi.
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (rajoni Tiranë) në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës ka arrestuar edhe shtetasin F.P., 30 vjeç dhe E.P., 22 vjeç, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” Hetimet vijojnë për evidentimin e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal”, njoftoi AMP.
Fraksion.com