AktualitetTë fundit

Superoperacioni antidrogë, Balla: Neutralizuam një burim të rrezikshëm dëmi për shëndetin e më të rinjve

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, ka publikuar pamjet e megaoperacionit policor të zhvilluar nga Policia e Shtetit mëngjesin e sotëm, ku u arrestuan 233 shpërndarës të lëndëve narkotike.

Balla shprehet mirënjohës për angazhimin e forcave të policisë së Shtetit. Ai thekson se falë ndërhyrjes së Policisë, u neutralizua një burim i rrezikshëm dëmi, për shëndetin e më të rinjve

“Mirënjohje për secilin prej 3000 forcave të Policisë së Shtetit të angazhuara në superoperacionin që çoi në pranga 233 shpërndarës droge, të cilët kishin në shënjestër të veprimtarisë së tyre kriminale nxënësit e shkollave. Pas një hetimi të imtësishëm e mbledhjeje të provave janë shkatërruar 23 rrjete kriminale dhe është neutralizuar një burim i rrezikshëm dëmi për shëndetin e më të rinjve, ndërkohë që kjo është një tjetër provë e ngritjes së luftës kundër krimit të organizuar në një nivel të ri”, shkruan Balla.

“Jam i sigurtë se prindërit dhe familjet shqiptare sot vlerësojnë Policinë e Shtetit, por edhe presin goditje sistematike ndaj keqbërësve të çdo lloji dhe të forcojë rolin e saj si garantë e rendit, sigurisë e qetësisë publike në çdo komunitet”, përfundon Balla.

 

Fraksion.com