AktualitetPolitikëTë fundit

Ervin Mete emërohet ministër i Financave, Delina Ibrahimaj ministre e Sipërmarrjes

Kuvendi i Shqipërisë ka votuar sot në seancën plenare për emërimin e dy ministrave të rinj, Ervin Mete dhe Delina Ibrahimaj.

Delina Ibrahimaj është shkarkuar me 105 vota pro dhe asnjë kundër si ministre e Financave dhe Ekonomisë dhe vendin e saj e ka zënë me 74 vota pro Ervin Mete, duke u emëruar ministër i Financave.

Ibrahimaj është emëruar si ministre e Shtetit për Sipërmarrjen me 73 vota pro.

Ndryshimet në qeveri u propozuan nga kryeministri Edi Rama në Asamblenë e Partisë Socialiste ndërsa pas miratimit në Kuvend, ministrat e rinj do të betohen tek Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.

Ndërkohë dy ditë më parë u miratuan në Kuvend edhe disa ndryshime të tjera.

Arbjan Mazniku i propozuar si Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor mori 73 vota pro, 35 kundër dhe asnjë abstenim.

Albana Koçiu, e propozuar në pozicionin e Ministres së Shëndetit dhe Mirëqenies Sociale mori 73 vota pro, 1 abstenim dhe 32 kundër.

Igli Hasani, i propozuar nga Rama për pozicionin e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme siguroi në Kuvend 74 vota pro, 33 kundër dhe asnjë abstenim.

Ogerta Manastirliu, e propozuar në pozicionin e Ministres së Arsimit dhe Sportit mori 72 vota pro, 35 kundër dhe një abstenim.

Nga ana tjetër, Anila Denaj, e propozuar në pozicionin e Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit siguroi 73 vota pro, 27 kundër dhe asnjë abstenim.

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka u shkarkua me 95 vota pro dhe 1 kundër, ku deputeti Erion Braçe kundërshtoi shkarkimin. Nga ana tjetër, ministrja e Arsimit, Evis Kushi u shkarkua me 99 vota pro, 1 abstenim dhe 3 kundër.

Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca u shkarkua me 107 vota pro dhe asnjë kundër. Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen, Edona Bilali u shkarkua me 102 vota pro dhe 4 kundër.

Ministrja e Shtetit, Milva Ikonomi u shkarkua me 98 vota pro, 2 abstenim dhe 2 kundër. Ervin Mete shkarkohet si anëtar dhe drejtor i AMF-së me 95 vota pro, 1 abstenim dhe 5 kundër.

Ndër emrat e propozuar nga Rama, të cilët nuk u votuan sot në seancën e posaçme, janë Ervin Mete, i cili pritet të drejtojë Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe Delina Ibrahimaj, e cila pritet të marrë pozicionin e Ministrit të Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit.

Ministrat që pritet të marrin detyrën dhe ata që largohen:

Ministri i Shëndetit dhe Mirëqenies Sociale – Emërohet Albana Koçiu; Largohet Ogerta Manastirliu

Ministri i Arsimit dhe Sporti – Emërohet Ogerta Manastirliu; Largohet Evis Kushi

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme – Emërohet Igli Hasani; Largohet Olta Xhaçka

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit – Emërohet Anila Denaj; Largohet Frida Krifca

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor-Emërohet Arbjan Mazniku

Ministri i Shtetit për Standardet dhe Shërbimet (Shkrihet) – Largohet Milva Ekonomi.

 

Fraksion.com