Neutralizimi i grupit kriminal në Vlorë, Balla përshëndet aksionin e Policisë
Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka përshëndetur aksionin e suksesshëm të strukturave të policisë së Vlorës, të cilat neutralizuan një grup të rrezikshëm kriminal, i cili dyshohet se kishte në plan akte të rënda kriminale dhe terroriste, përmes përdorimit të lëndëve plasëse.
Gjatë aksionit të policisë u sekuestruan disa mina me telekomandë dhe një shtetas u arrestua gjatë këtij aksioni, pasi kishte vendosur eksploziv C4 poshtë një makine.
Ministri Balla ka përshëndetur menjëherë strukturat e policisë së Vlorës me një reagim në rrjetet sociale. “Policia e Shtetit ka goditur një grup kriminal me rrezikshmëri të lartë, duke parandaluar kështu ngjarje të rënda kriminale dhe terrori, për shkak të përdorimit të lëndëve plasëse”, shkruan Balla.
Gjithashtu ministri Balla vlerësoi angazhimin e strukturave të policisë së Vlorës, në parandalimin, zbulimin dhe neutralizimin e akteve kriminale dhe për kapjen e autorëve të tyre.
“Kam besim se Policia e Vlorës do të bëjë detyrën edhe në zbardhjen e ngjarjeve të tjera kriminale të reja dhe më të vjetra për vendosjen para drejtësisë të personave të dyshuar,” u shpreh ministri i Brendshëm.
“Qytetarët presin më shumë prej nesh”, përfundoi Balla.
Fraksion.com