Numri i anëtarëve në fondet e investimit rritet për herë të parë që nga marsi 2022
Tregu i fondeve të investimit vijoi përmirësimin edhe në tremujorin e dytë të vitit.
Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), asetet neto të këtyre fondeve arritën në 43.3 miliardë lekë, në rritje me 4.4% krahasuar me fundin e vitit të kaluar.
Asetet neto të tregut u rritën për të dytin tremujor radhazi, duke konsoliduar sinjalet pozitive që kishte shfaqur në tremujorin e parë të vitit.
Një zhvillim ndoshta edhe më i rëndësishëm ishte edhe rritja e numrit të anëtareve në këto fonde. Numri i anëtarëve arriti në 30 077, në rritje me 3.9% krahasuar me fundin e vitit 2022. Ky ishte tremujori i parë me rritje të numrit të anëtarëve, pas katër tremujorësh radhazi në rënie.
Tregu i fondeve të investimit pësoi një goditje të fortë vitin e kaluar nga rritja e shpejtë e normave të interesit dhe yield-eve në tregun financiar. Kjo solli rënie të vlerës së aseteve dhe tërheqje të konsiderueshme të anëtarëve nga fondet.
Megjithatë, frenimi i rritjes së normave të interesit prej fundit të vitit të kaluar bëri që, qysh në tremujorin e parë të vitit, rënia e vlerës së aseteve të frenohet. Mbështetur në të dhënat nga shoqëritë administruese, shumica e fondeve janë kthyer në territor pozitiv, për sa i takon kthimit vjetor nga investimi.
Sipas drejtuesve të shoqërive administruese, efektin kryesor në rritjen e aseteve e ka dhënë përmirësimi i kthimeve, ndërsa investimet e reja ngelen ende në nivele të vakëta. Megjithatë, rritja e numrit të anëtarëve në tremujorin e dytë mund të jetë një sinjal pozitiv edhe në këtë drejtim.
Fondet e investimit në lekë i kanë përqendruar investimet e tyre sidomos në bono dhe obligacione të qeverisë shqiptare dhe në një masë më të vogël në mjete likuide (llogari bankare). Fondet në valutë kanë një spektër më të gjerë investimesh, por edhe aty në volume dominojnë insturmentet financiare të borxhit të qeverive dhe shoqërive tregtare. Disa prej fondeve janë të angazhuara edhe në investime në aksione, por pesha e tyre specifike në treg ngelet e ulët.
Në treg gjatë tremujorit të parë ishin aktive 11 fonde investimi, të administruara nga pesë shoqëri të ndryshme administruese. Dy prej fondeve të investimit të licencuara nga AMF, Sigal Invest dhe Albsig Selective Equitiy ETF-s nuk ishin ende aktivë deri në fund të qershorit.
Tregu dominohet nga fondet në monedhën vendase, që përbëjnë më shumë se 90% të vlerës neto të aktiveve të fondeve. Mes fondeve, më i madhi me diferencë të konsiderueshme ngelet fondi i investimeve në lekë, Raiffeisen Prestigj, me më shumë se 65% të aseteve neto të tregut.
Vijon fondi tjetër në Lekë i shoqërisë Raiffeisen Invest, Raiffeisen Vizion, me pothuajse 22% të vlerës neto të aseteve. Mes fondeve në valutë të huaj, më i madhi është Raiffeisen Invest Euro, me afërsisht 8% të vlerës neto të aseteve. Fondet e tjera përbëjnë së bashku diçka më pak se 6% të vlerës së përgjithshme të aseteve neto./monitor