Marikaj, Rama: Dorëzojmë çelësat e 102 apartamenteve për banorët që humbën strehën nga tërmeti
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga kryebashkiaku Blerim Shera, u shpërndau sot 102 familjeve përfituese nga programi i rindërtimit banesat e tyre të reja në zonën e Marikajt, ku është ndërtuar nga e para një kompleks prej gjashtë pallatesh.
Rama shpjegoi teksa u dha çelësat një prej familjeve përfituese se ka pasur probleme me pronën, histori pa fund të mbivendosjeve.
“Do t’i merrni falas, më mirë se ato që kishit. Janë prona juaj. Do ta mbani, ta jepni me qira, do ta shisni, s’keni asnjë qindarkë kredi apo elemente të tjera ndaj shtetit. Dritat do t’i paguani vetë”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë shoqëroi edhe një prej familjeve përfituese në apartamentin e tyre të ri. “Është një punë e përkryer nga ana e të gjithëve ju”, tha kryefamiljarja.
Ndërkohë, ndërsa Kryeministri Edi Rama inspektonte nga pranë banesat e reja u informua mbi ecurinë e shtëpive individuale të cilat po rindërtohen në bashkinë e Vorës, pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.
“Kemi dhe 51 shtëpi individuale këtu në Marikaj. Thuajse të gjithë kanë hyrë në shtëpitë e tyre”, u shpreh kryebashkiaku Shera.
Më tej, Kryeministri Edi Rama mori dhe një certifikatë falënderimi të punuar nga një vajzë e cila ishte pjesë e familjeve përfituese. Ndërkohë teksa pa nga afër ambientet përreth Rama sugjeroi dhe investime në ndriçim, stola e kënde lojërash.
“Këtu më tej vendos shkallë, stola. Se ndryshe do ta kthejnë parkim. Dhe pemë atje të kodrina. Këtu mund të vihet kollaj fare një kënd basketbolli. Patjetër do duhet punuar me ndriçimin. Mund të bëhet dhe një murale e bukur”, tha Rama, ndërsa vizitonte ambientet e jashtme të kompleksit prej gjashtë pallatesh.
Fraksion.com