“Do shihni të dhëna befasuese”, Vangjeli jep mesazh të koduar: Po hedhin foshnjen me ujin e pistë…
Analisti Lorenc Vangjeli, komentoi mbëmë dy çështjet e rëndësishme që SPAK ka aktualisht në dorë, hetimi për inceneratorët dhe ai për koncesionin e sterilizimit në shëndetësi.
Këto çështje duhen parë nga tri këndvështrime, shpjegon Vangjeli.
“Për të diskutuar qoftë për inceneratorët, qoftë për sterilizimin apo koncesione të tjera, duhet ta shohim çështjen nga tri kënde të ndryshme, nga një kënd moral, një kënd politik dhe një kënd penal.”, tha ai ftuar në “Top Story”.
Nëse ne i shohim ato veç e veç, mund të arrijmë në përfundime të gabuara. Duke i gjykuar të trija së bashku dhe në kompleks, mund të dalim në përfundime që mund të jenë befasuese. Për momentin, për shkak të gjykimit politik, për shkak të dritës së deformuar që politika hedh mbi gjëra të tilla, për shkak të interesit të politikave që nuk kanë të bëjnë në thelb me të vërtetën… ajo që ne kemi bërë deri në këtë moment, është hedhja e foshnjës bashkë me ujin e pistë të legenit”.
Foshnja, që analisti e përdor në mënyrë metaforike, është nevoja emergjente për të zgjidhur çështjen e mbetjeve ne vend dhe problemeve në shëndetësi.
“Për inceneratorët, është nevoja ulëritëse e Shqipërisë për të qenë ndryshe, për të qenë më e pastër. Kjo është detyrë politike.
Edhe për sterilizimin, fakti që ne vazhdonim të operonim në kushte si në mesjetë. Duke njohur nevojën për ekzistencën e një gjëje të tillë, bie dakord me ju kur thoni se duhej bërë. Por, a është ndjekur procedura e saktë?
Duke u munduar ta bëjmë Shqipërinë më të pastër, a janë bërë ca xhepa më të thellë me para të pistë? E njëjta logjikë edhe me sterilizimin”.
Muajt e fundit, konsolidimi i institucioneve të reja të drejtësisë, drejtimi i ri i SPAK duket se kanë nisur një valë të re goditëse kryesisht në nivelet e larta të politikës. Korriku shënoi edhe ngjarjen më të fortë për drejtësinë shqiptare, kur SPAK përmes një shkrese i kërkoi Kuvendit të Shqipërisë arrestimin e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj. SPAK përfundoi hetimet edhe për një tjetër kontratë koncensionare të qeverisë shqiptare, siç është ajo e sterilizimit të pajisjeve mjekësore në Shëndetësi. Për koncensionin që i ka kushtuar qytetarëve shqiptarë 76 milionë euro deri në fund të vitit 2022, SPAK lëshoi urdhër arrestet dhe mori nën hetim 8 persona. Zyrtari më i lartë i arrestuar ishte ish- zv ministri i Shëndetësisë Klodian Rrjepaj.
Fraksion.com