AktualitetSportTë fundit

Tirana pa gjumë, tifozët ‘skuqin’ kryeqytetin: Kombëtarja ndienjë shpirti, pas Europianit shkojmë në Botëror

Fërshëllima e arbitrit spanjoll pas 94 minutash betejë në fushë nisi festën e shqiptarëve. Tirana si rrallherë ishte më e bukur dhe e zhurmshme si të dielën mbrëma.

Fitorja 2-0 e kombëtares kundër Polonisë, që i dërgoi kuqezinjtë me një këmbë në Europian, e ktheu në festë bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’.

A ju kënaqi sot kombëtarja?

“Jemi kënaqur super shumë. Kam ardhur nga Shkodra dhe vij shumë shpesh për kombëtaren,”-u shpreh një fëmijë.

E prisje fitoren kundër Polonisë?

“Më thënë të drejtën jo, por jam shumë i gëzuar që fituam,”-deklaroi një tjetër fëmijë.

“Kombëtarja është ndienjë shpirti, jo sa për sy e faqe. Nuk ka fjalë me përshkruar gëzimin dhe kënaqësinë që kemi sonte. Kam menduar me e pre biletën për Gjermani. Me shpresë të Zotit po,”-tha një tifoz.

Pranë stadiumit Air Albania, tifozët ishin njëjtë euforikë. Shumë prej tyre meritat ia jepnin trajnerit Sylvinho, të tjerë lavdëronin futbollistë të veçantë, ndërsa kishte edhe nga ata që bënin thirrje për të prerë biletat për në Gjermani.

Disa kishin ardhur posaçërisht edhe nga vendet e Evropës ndër të shumtë ishin ata që kishin fluturuar mijëra kilometra nga Amerika e largët.

“Unë kam ardhur nga Çikago dhe jam gati të iki në këmbë atje,”-tha një tifoz.

“Shkëlqyem sot. Një Shqipëri që i kishte vënë pikat që në Çeki, por sot përfundimisht kemi biletën për Europianin 2024 në Gjermani,”-deklaroi një tifoz tjetër.

“Sot u kënaqa shumë. Vi shpesh për kombëtaren sepse më pëlqen Asllani. Vij me babin, gjyshin dhe vllain,”-u shpreh një tjetër fëmijë.

“Duhet të përgatisin të gjithë shqiptarët biletat për të shkuar për ta parë në Gjermani,”-tha një tjetër tifoz.

“Kombëtarja e Sylvinho do shkojë në Gjermani patjetër. Unë kam ardhur nga Amerika, nga Neë Yersey, për të parë kombëtaren. Duhet ta kuptojnë shqiptarët që duhet të shkojnë në stadium dhe të mbështesin kombëtaren. Kombëtarja jonë është ‘The Best Ever’. Padiskutim që Europiani është i yni, por ne do pretendojmë Botërorin 2026 që zhvillohet në Amerikë,”-deklaroi një tjetër tifoz.

Gjithsesi jo çdo gjë shkoi perfekt në këtë fitore historike të kombëtares. Për shkak të rivalitetit që nisi ndeshjen e para dy viteve Shqipëri-Poloni, edhe të dielën ultrasit u përballën në Air Albania. Stola, sende të forta, monedha dhe flakadanë u hodhën mes tifozëve polak dhe atyre shqiptarë ende pa filluar ndeshja.

U desh ndërhyrja e forcave speciale të policisë, që zgjati për disa minuta, për të qetësuar situatën.

Incidente pati edhe në fillimin e ndeshjes, teksa menjëherë tifozët kuqezi hodhën flakadanë dhe ndërprenë ndeshjen për disa sekonda. Pas ndeshjes vetëm një ishte përplasja për t’u veçuar, me tifozët ultras të ardhur nga Prishtina, ‘Plisat’, që sulmuan me sende të forta dhe karrige tifozët polakë.

Por incidentet sporadike duket se nuk e kishin  fuqinë të prishnin festën e shqiptarëve, që zgjati e qetë deri orët e para të mëngjesit.

 

Fraksion.com