AktualitetPolitikëTë fundit

Rama në Paskuqan: Gjimnazi “Gramoz Palushi”, kushte dinjitoze për 630 nxënës

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot godinën e re të gjimnazit “Gramoz Palushi”, në Paskuqan, Kamzë.

Gjatë vizitës, Rama u shoqërua nga kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, ministrja në detyrë e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi dhe kryetari i bashkisë Kamzë, Rakip Suli.

“Në godinën e re të gjimnazit “Gramoz Palushi” 630 nxënës dhe 33 mësues nisin këtë vit të ri shkollor me kushte dinjitoze”, tha Rama.

Kushi tha se janë marrë të gjitha masat që shkolla përveç se është ndërtuar me standardet më të mira është pajisur edhe me mjetet e nevojshme. Janë 20 klasa ku do të ketë edhe laboratorë për shkencat, lëndët biologji, kimi, fizikë si dhe laboratorin e informatikës.

“Në këtë shkollë do të zbatohen edhe programet e reja që kemi përfshirë që nga programi i “Ekipeve sportive”, “Toka në shkollë”, por do të shërbejë edhe si qendër komunitare për komunitetin e zonës”, theksoi Kushi.

Sipas saj, shkolla do të ketë edhe një klasë burimore që është në shërbim të nxënësve me aftësi ndryshe, si dhe kabinetin psiko-social.

Kushi vuri në dukje se “ky vit i ri shkollor vjen me disa risi, sikurse nxënësit e këtij gjimnazi edhe 17 mijë nxënës në të gjithë Shqipërinë sot kanë hyrë në shkolla të reja dhe të rikonstruktuara me standardet më të mira”.

Ndërkohë, vijoi Kushi, në të gjithë vendin 242 mijë nxënës kanë përfituar tekste falas.

“Nga këta 17 mijë nga klasa e parë deri në të tretën i kanë falas me vetëm një përdorim, pasi është e nevojshme që librat të jenë të rinj”, shtoi Kushi.

Kushi tha se “një nga risitë e rëndësishme këtë vit është edhe “Paketa e sigurisë në shkolla” në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe drejtoritë e Policisë. Këtë vit do të ketë më shumë masa shtesë për të pasur më shumë siguri, jo vetëm brenda shkollës por edhe jashtë perimetrit të saj”.

Në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar ka nisur sot viti i ri shkollor 2022-2023. Për herë të parë në shkollë do të shkojnë rreth 29 mijë nxënës, ndërsa në klasat e 10-ta rreth 27 mijë nxënës.

 

Fraksion.com