Tabaku: Çmimi i karburantit nuk ndryshon çfarëdo që të ndodhë!
Deputetja e Partisë Demokratikë, Jorida Tabaku deklaroi sot se, çmimi i karburantit në vendin tonë nuk ndryshon, çfarëdo që të ndodhë në tregun ndërkombëtar, prej ortakërisë mes qeverisë dhe oligarkisë si dhe prej taksave.
“Kanë një pyetje qytetarët shqiptarë sot. Përse nuk ndryshon çmimi i karburantit në Shqipëri çfarë do të ndodhë në tregun ndërkombëtar? Qoftë 2$/barrelë apo 200$/barrelë shqiptarët përherë paguajnë mbi 200 lekë/litër dhe kjo nuk ndryshon. Qoftë në kohë krize apo kohë paqe”, u shpreh ajo.
“Përgjigja është shumë e thjeshtë; ortakëria mes qeverisë dhe oligarkisë. Si me bordin e oligarkëve edhe pa bordin e tyre çmimi nuk po ndryshon dhe kjo tregon si sistemi është i kapur, si ka një mungesë konkurrence dhe çmimi vendoset në tavolinë si me ekzistencën e bordit si pa të”, theksoi Tabaku.
Arsyeja e dytë, vijoi deputetja e PD, “janë taksat. Taksimi socialist! Taksimi që paguajmë në çdo pikë karburanti! Në çdo pompë nafte kur blejmë karburant dhe paguajmë 50% të çmimit taksa”.
Sipas saj, “këto dy arsye kanë kapur prej fyti sistemin dhe çojnë 50% të vlerës në buxhet ku bëjnë biznes me të dhe 50% tjetër të vlerës në marrëveshje me oligarkinë”.
“Kush vuan në fund të ditës? Sigurisht qytetari”, përfundon deputetja e Partisë Demokratikë, Jorida Tabaku.
Fraksion.com