SHBA, BE kritikojnë komentet për Holokaustin të presidentit të Autoritetit Palestinez
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kritikuan të enjten komentet e bëra nga Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, për persekutimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe antisemitizmin.
Shërbimi diplomatik i Bashkimit Evropian qarkulloi një deklaratë ku thuhet se komentet e 87-vjeçarit Abbas të bëra në fund të gushtit gjatë një takimi të Këshillit Revolucionar të Lëvizjes së tij politike Fatah, janë “false dhe mashtrim flagrant”.
Në komentet e tij, zoti Abbas tha se hebrenjtë u bënë objektiv sulmi nga Gjermania naziste për shkak të “rolit të tyre social” dhe jo besimit. Zoti Abbas ka shkaktuar vazhdimisht zemërimin e komunitetit ndërkombëtar me komentet për Holokaustin, gjatë të cilit nazistët vranë rreth 6 milionë hebrenj, së bashku me pjesëtarë të komuniteteve si romët, personat me paaftësi dhe ata nga pakicat seksuale dhe gjinore.
Në deklaratë, zëdhënësi për çështjet e jashtme të Bashkimit Evropian, që është një ndër donatorët kryesorë të Autoritetit Palestinez, i quajti komentet “një fyerje për miliona viktimat e Holokaustit dhe familjarët e tyre”.
Autoriteti Palestinez ushtron vetëqeverisje të kufizuar në territorin e pushtuar nga Izraeli gjatë Luftës së Lindjes së Mesme të vitit 1967, ku palestinezët duan të krijojnë një shtet të pavarur.
Komentet e zotit Abbas u dënuan edhe nga ambasadori i Gjermanisë në Izrael, Steffen Seibert, i cili u shpreh nëpërmjet një mesazhi në platformën X: “Palestinezët meritojnë të dëgjojnë të vërtetën nga udhëheqësi i tyre, jo shtrembërime të tilla”./VOA
Fraksion.com