“Më sill 3 pica”, “shko merr fantat”: Si komunikonin shpërndarësit e drogës! Ua shisnin të rinjve në lokalet e natës
Një grup prej tetë personash, të cilët shpërndanin drogë në lokalet e natës në Tiranë, është goditur nga policia. Shkatërrimi i grupit ka ardhur pas një hetimi gjashtë mujor nga blutë e Tiranës, ndërsa nga 9 urdhër ndalimet, 8 prej tyre janë ekzekutuar, ndërsa një person është shpallur në kërkim.
Në pranga ka rënë edhe drejtuesi i grupit Herald Rexhepaj, bashkë me gruan e tij, të cilët jetonin në zonën e njohur si Kodra e Diellit në Tiranë.
Sipas Report tv mësohen edhe disa prej kodeve që përdornin shpërndarësit e drogës. ‘Më sill 3 pica’, apo ‘shko merr fanta’, ishin ndër kodet e përdorura nga ky grup ndërsa shisnin drogën nëpër lokalet e natës apo zona të tjera që frekuentoheshin nga të rinjtë.
“Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, siguronin lëndë të dyshuara narkotike të llojit kokainë dhe kanabis, në sasi të mëdha, dhe më pas i shitnin ato në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në afërsi të lokaleve të natës dhe të vendeve që frekuentohen nga të rinjtë”, njofton policia.
Gjatë operacionit gjashtëmujor janë sekuestruar 650 doza kanabis , 150 doza kokainë, 1 kg kanabis, qindra qese farmaceutike që shërbejnë për paketimin e lëndëve narkotike, dy peshore elektronike, dhe 5 aparate celulare.
Ndërkohë, kreu i grupit Herald Rexhepaj rezulton i arrestuar edhe në prill të këtij viti, teksa sillte disa doza drogë nga Kosova.
- Emrat e të arrestuarve
- Herald Rexhepaj
- Viola Bendaj
- Arolf Harizi
- Arlind Aga
- Xhersildo Arifllari
- Dashamir Shehu
- Indrit Gjoshi
- Devis Saliaj
Njoftimi i policisë:
“Tiranë/Finalizohet pas një hetimi gjashtëmujor, operacioni policor i koduar “Kodra e Diellit 3”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Operacioni i zhvilluar me metoda proaktive, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë janë lëshuar 9 urdhra ndalimi, nga të cilët janë ekzekutuar 8 dhe 1 është shpallur në kërkim.
Gjatë zhvillimit të këtij operacioni gjashtëmujor, janë sekuestruar 650 doza cannabis sativa, 150 doza lënde narkotike kokainë, 1 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, qindra qese farmaceutike që shërbejnë për paketimin e lëndëve narkotike, dy peshore elektronike, dhe 5 aparate celulare.
Specialistët e Seksionit të Hetimit të Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, pas një pune të mirëfilltë hetimore gjashtëmujore me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Kodra e Diellit 3″.
Në kuadër të këtij operacioni u bë ndalimi i shtetasve: H. R., 35 vjeç, V. B., 31 vjeçe, A. H., 19 vjeç, A. A., 20 vjeç, Xh. A., 21 vjeç, D. Sh., 46 vjeç, D. S., 19 vjeç, dhe I. Gj., 22 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.
Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi K. R., 29 vjeç, banues në Tiranë.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, siguronin lëndë të dyshuara narkotike të llojit kokainë dhe kanabis, në sasi të mëdha, dhe më pas i shitnin ato në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në afërsi të lokaleve të natës dhe të vendeve që frekuentohen nga të rinjtë.
Në cilësinë e provës materiale, gjatë zhvillimit të gjithë operacionit janë sekuestruar 650 doza cannabis sativa, 150 doza lënde narkotike kokainë, 1 kg lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, qindra qese farmaceutike që shërbejnë për paketimin e lëndëve narkotike, dy peshore elektronike, dhe 5 aparate celulare.
Vijon puna për kapjen e shtetasit K. R.
Materialet proceduale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
Fraksion.com