AktualitetPolitikëTë fundit

“Pa vendet partnere nuk do të kishte ndodhur”, Noka: Arrestimi i Behar Bajrit, lajm i mirë për Shkodrën

Sekretari i përgjithshëm i grupimit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, Flamur Noka reagoi sot pas arrestimit në Francë të shumëkërkuarit Behar Bajri.

Noka u shpreh në një deklaratë për mediet se, “arrestimi nga policia franceze i killerit me pagesë Behar Bajri është një lajm i mirë për Shkodrën dhe sigurinë e qytetarëve të saj”.

“Partia Demokratike përgëzon shërbimet e sigurisë dhe rendit të Francës për arrestimin e një prej rrezikuesve më të mëdhenj të sigurisë, jetës dhe qetësisë në Shqipëri, i përfshirë në krime kundër personit dhe në krime zgjedhore”, tha Noka.

“Opinionit publik i kujtojmë se pa shërbimet e sigurisë apo të inteligjencës së vendeve partnere nuk do të kishte ndodhur ky arrestim, dhe as shumë të tjerë para tij. Kriminelët dhe zyrtarët e lartë të inkriminuar që gjenden pas hekurave sot janë punë e prokurorive dhe policive belge, austriake, italiane, franceze apo gjermane”, theksoi më tej Noka.

“Që nga dosja e Saimir Tahirit e këtej, çdo zhvillim domethënës në kapjen e elementëve të inkriminuar ka vulën dhe vullnetin e vendeve partnere. Policia jonë, fatkeqësisht është kthyer në shërbëtore të krimit, në korrier dhe truprojë e killerave. Prokuroria zhduk provat, ndërsa gjykata i liron. Behar Bajri i arrestuar nga francezët është shembulli më tipik i rënies së shtetit përballë krimit, i bashkëpunimit të pushtetit me kriminelet”, tha ai.

Noka theksoi se, “kur sheh dhe lexon komunikatën e Policisë së Shtetit, ku del se operacioni për kapjen e tij ishte një ndërmarrje shqiptaro-franceze, e kupton se sa poshtë e ka ulur Taulant Balla prestigjin dhe uniformën e ruajtësve të rendit. Është dy herë fyese për publikun që nuk ka harruar dhe e ka parë në dosjen ‘Metamorfoza’ se si shefa komisariatesh apo nëndrejtorë policie, shërbenin si spiunë të Bajrëve dhe Pëllumb Gjokës. Ndërkohë që kapitujt e dosjes po zbardhen një e nga një, dhe ngjarja është ende e freskët, Policia del e thotë se e kapën ata Bajrin. Nga shqiptarët nuk u vjen turp, por as edhe nga kolegët e tyre francezë apo nga ambasada e Francës këtu”.

“Policia franceze thotë se e kanë kapur Bajrin në Strasburg, policia shqiptare thotë se u kap në Paris. Francezët thonë në lokal, tanët në banesë. Po të kishin qenë të përfshirë në operacion, siç pretendojnë, të paktën do të dinin vendin ku u kap Bajri. Nuk kanë qenë dhe as kanë dashur që Bajri të kapet, sepse arrestimi i tij do të thotë dalja e informacioneve të tjera anti-ligjore ku janë përfshirë policë, shefa policie dhe drejtues të shtetit. Meqë francezët e paketuan Bajrin, Policia, Prokuroria dhe gjykatat kanë vetëm një detyrë: të mos e përcjellin sërish, siç e kanë zakon”, përfundoi Noka.

 

Fraksion.com