AktualitetSportTë fundit

Çeki-Shqipëri 1 me 1 në Pragë

Kombëtarja shqiptare e futbollit barazoi 1-1 kundër Çekisë në Pragë, për sfidën kualifikuese të Euro 2024 në grupin E. Kuqezinjtë ia dolën të marrin një pikë, në një ndeshje të luftuar, me raste dhe me një lojë të mirë. Sylvinho u tregua guximtar në këtë duel, duke hedhur në fushë një ekip sulmues paçka se luante me vendin e parë në grup. Goli i Cerny në minutën e 57-të hapi ndeshjen për çekët, ndërsa Nedim Bajrami u kujdes të linte shenjë me një “perlë” nëntë minuta më vonë, teksa realizimi nga jashtë zone ishte me vlerën e një pike për tanët.

Ndeshja nisi mirë për tanët, që kishin dy raste me Asanin dhe Cikalleshin. Dyshja nuk përfitoi në disa momente, me pjesën e parë që u mbyll pa gola. Duhej fraksioni i dytë i lojës që Cerny në të 57 minutë të kalonte vendasit në avantazh, kjo edhe pas një gabimi në prapavijën e kuqezinjve. Përtej golit të pësuar, Kombëtarja reagoi dhe pas dhjetë minutash shënoi me Nedim Bajramin. Fantazisti i Sassuolos mori topin dhe me një të djathtë nga jashtë zone shtangu portierin vendas.

Fundi i lojës ishte dramatik, me Dakun që nuk pasoi mirë për Mujën, duke humbur një rast të mirë në debutim. Në fund edhe pas shtatë minutave lojë ndeshja u mbyll 1-1, teksa kuqezinjtë e Sylvinhos siguruan një pikë me vlerë kundër kryesuesve të grupit.

Po për grupin tonë, Polonia fitoi 2-0 me Ishujt Faroe. Pas katër ndeshjeve në grup, Çekia me tetë pikë është në krye, ndjekur nga Shqipëria me shtatë pikë dhe Polonia me gjashtë. Moldavia në vendin e katërt me pesë pikë, teksa mbyllin klasifikimin me një pikë Ishujt Faroe.

Me paraqitjen e mirë dhe pikën e marrë, Shqipëria pret me moral të lartë Poloninë në “Air Albania”, këtë të diel në orën 20:45 për grupin E kualifikues të Euro 2024.

 

Fraksion.com