AktualitetBota+Të fundit

Hunter Biden do të përballet me një aktakuzë të re

Prokurorët federalë planifikojnë t’i kërkojnë një jurie të madhe që të padisë djalin e Presidentit Joe Biden, Hunter, nga fundi i muajit shtator, sipas dokumenteve të gjykatës të paraqitura të mërkurën.

Padia lidhet me një akuzë për posedim armësh ndërsa ai ishte përdorues droge. Hunter Biden ka qenë gjithashtu nën hetim nga prokurorët federalë për aktivitetet e tij financiare dhe tregtare.

Gjykatësi federal i Delauerit, David Weiss, i cili u emërua nga Departamenti i Drejtësisë si prokuror i posaçëm për këtë rast, iu referua një kërkese për ngritjen e aktakuzës përpara 29 shtatorit në një raport mbi statusin e çështjes, të kërkuar nga gjykatësja Maryellen Noreika.

Avokatët mbrojtës kanë argumentuar se një marrëveshje që mbronte zotin Hunter Biden nga ndjekja penale për akuzën për armëmbajte pa leje duhet të jetë ende në fuqi. Ajo ishte pjesë e një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë mbi akuzat për shkelje të ligjeve tatimore, që u prish gjatë një paraqitjeje në gjykatë në korrik.

Hunter Biden u akuzua në qershor për dy krime kundërvajtëse për mospagimin e më shumë se 100 mijë dollarëve në taksa nga mbi 1.5 milionë dollarë të ardhura që kishte si në vitin 2017 ashtu edhe në 2018. Ai pritej të pranonte fajin në korrik, pasi bëri një marrëveshje me prokurorët, të cilët ishin duke planifikuar të rekomandonin një dënim me dy vjet mbikqyrje. Marrëveshja u shpërbë gjatë seancës pasi gjykatësja Noreika, e cila u emërua nga Presidenti Donald Trump, ngriti shqetësime të shumta në lidhje me hollësitë e marrëveshjes dhe rolin e saj në procedurë.

Avokatët e zotit Hunter Biden nuk i kthyen menjëherë mesazhet për koment mbi këtë çështje të mërkuren, shkruan VOA.

 

Farksion.com