AktualitetPolitikëTë fundit

“Mbështetësit e Berishës nuk janë antiamerikanë”, Gjekmarkaj: Basha është bërë qesharak, më vjen zor që e kam mbështetur

Partia Demokratike është në provën e saj ekzistenciale dhe finale, u shpreh Agron Gjekmarkaj sonte në “Top Story”, gjatë një diskutimi për situatën në partinë më të madhe opozitare.

“Në këtë kontekst, e kam mbështetur zotin Bardhi. E shoh si mundësi eksploruese dhe ndoshta mundësia e fundit për t’i dhënë një fytyrë serioziteti Partisë Demokratike dhe për ta shpëtuar atë.

Që të jem i sinqertë, unë e kam konsideruar fatkeqësi të madhe shpalljen e Sali Berishës ‘non grata’ nga SHBA dhe po kaq fatkeqësi mënyrën se si zoti Berisha reagoi. Dua të theksoj se unë nuk jam kritik me Lulzim Bashën sepse sot e kritikon Sali Berisha. Jam po kaq kritik sot me Berishën. Por ka ndodhur diçka. Secili prej nesh reflekton. Por vjen një moment që prevalojnë disa interesa madhore… unë mendoj që Shqipëria ka nevojë për një opozitë të fortë dhe serioze që sot nuk e ka. Unë mendoj që demokratët kanë nevojë ta shohin partinë e tyre të bashkuar, si të vetmen mundësi për të rinisur ringritjen”.

Bashkimi është minimumi që duhet të bëjmë thotë Gjekmarkaj, që sugjeron të mos injorohej mbështetësit e Sali Berishës.

“Ne të bashkuar kemi qenë dhe ose na kanë vjedhur, ose kemi humbur, por nuk kemi qenë fitues. Pra, bashkimi është minimumi nga duhet filluar.

Ka ndodhur diçka, 510 mijë njerëz kanë votuar për grupin e Berishës, ata e mendojnë ndryshe nga ne. Unë nuk mendoj që ata janë antiamerikan. 510 mijë vetë janë më shumë se sa Sali Berisha dhe më shumë se sa vetë ne. Nuk mund të mos e marrësh parasysh këtë realitet politik, këtë votë kaq masive. Nëse i përjashtojmë këta njerëz, sa shanse ka që opozita të jetë fituese?!”

“Unë nuk e njoh Sali Berishën për kryetar. Nuk e njoh as Lulzim Bashën”, thekson demokrati, që shprehet i zhgënjyer nga Basha, që sipas tij po bëhet qesharak.

“Berisha ka humbur përballë Ramës në vitin 2013 me 1 milion vota. Lulzim Basha iu bashkua vendimit për ta shpallur ‘non grata’, por jemi dëshmitarë që nuk ka bërë asnjë ditë betejë, u fsheh. Doli në tre intervista prej qyqari dhe nuk tha asgjë. Edhe sot nuk guxon t’ia zërë emrin me gojë Berishës. Nuk shkëputet dot.

Unë e dija serioz në mediokritetin e tij Lulzim Bashën, por të ishte shakaxhi kaq joserioz, nuk e mendoja. Të luajë një komedi të këtij kalibri, më vjen zor se e kam mbështetur me shpirt për 10 vite. Kam dashur të ketë sukses, të jetë kryeministër, por të shfaqet me këtë profil kaq qesharak…”

 

Fraksion.com