Fiket zjarri në Zhamë, Peleshi: Asnjë dëm në banesa e jetë njerëzish
Ministria e Mbrojtjes njoftoi se në orët e para të mëngjesit të sotëm është arritur të vihet në kontroll të plotë situata në fshatin Zhamë të Lushnjës.
“Vetëm pak minuta më parë, pas një pune intensive dhe përkushtimit të 158 trupave të emergjencave civile dhe efektivëve të FA, zjarri është shuar përfundimisht duke mos shkaktuar asnjë dëm në banesa e jetë njerëzish”, u shpreh në rrjetet sociale ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.
Edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla vlerësoi sot punën e pandalshme të gjithë strukturave deri në izolimin e zjarrit që kërcënoi deri banesat e banorëve të fshatit Zhamë.
“Shumë mirënjohje për përkushtimin dhe profesionalizmin e lartë, duke shmangur dëme shumë, shumë më të mëdha nëse nuk do të ishte arritur vendosja nën kontroll gjatë natës dhe nëse nuk do të ishte punuar pa ndërprerje deri në mëngjesin e sotëm”, shkruan ministri Balla në rrjete sociale.
Ministri Balla ishte vetë mbrëmjen e kaluar në orët e vona për të parë nga afër masat dhe angazhimin e autoriteteve.
Për shuarjen e flakëve kanë punuar për shumë orë forca zjarrfikëse të Lushnjës, Fierit, Divjakës, Beratit, Roskovecit, Rrogozhinës, Peqinit, kompanisë “Albpetrol”, ndihmuar edhe nga efektivë të Forcave të Armatosura dhe punonjës të ndërmarrjeve të Bashkisë Lushnjë.
Fraksion.com