Britania do ta shpallë Wagner-in organizatë terroriste
Qeveria britanike tha se një urdhër do të dërgohet në Parlament për të shpallur Wagner-in organizatë terroriste në bazë të Aktit të Terrorizmit.
Ky cilësim, sapo të miratohet nga ligjvënësit, do të ndalojë anëtarësimin apo mbështetjen për Wagner-in, grupin që ka luajtur një rol të madh në luftime gjatë pushtimit rus të Ukrainës. Wagner po ashtu ka operuar në Siri dhe në disa shtete të tjera afrikane.
Sekretarja e Brendshme, Suella Braverman, tha se Wagner “është përfshirë në grabitje, torturë dhe në vrasje barbare. Operacionet e tij në Ukrainë, Lindje të Mesme dhe Afrikë janë kërcënim për sigurinë globale”.
“Ata janë terroristë dhe ky urdhër ndalimi është i qartë sipas ligjeve në Mbretërinë e Bashkuar”, tha ajo.
Ndalesa do të lejojë autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar që të konfiskojnë asetet e organizatës edhe pse kjo fuqi duket se është simbolike, pasi nuk ka të dhëna se Wagner operon në Britani.
Njoftimi i Qeverisë britanike vjen pasi në korrik Komiteti për Punë të Jashtme i Parlamentit rekomandoi që Wagner të ndalohej. Ky komitet tha se autoritetet britanike kanë “nënvlerësuar dhe kanë minimizuar” kërcënimin që paraqet ky grip mercenar.
Komiteti tha po ashtu se e ardhmja e Wagner-it është e paqartë pas rebelimit jetëshkurtër të Prigozhinit ndaj ushtrisë ruse në qershor.
Dy muaj pas rebelimit të qershorit, Priogozhin u raportua se vdiq nga rrëzimi i një avioni më 23 gusht. Sipas vlerësimeve preliminare të inteligjencës amerikane, avioni u rrëzua nga një shpërthim i qëllimshëm. Qeveria e presidentit rus, Vladimir Putin, ka mohuar çdo përfshirje./REL
Fraksion.com