AktualitetBota+NATO/BETë fundit

Kush është diplomati që mbahet peng në Iran prej 500 ditësh? Eksperti Iranian kritikon Borell: Të heshtësh për rrëmbimin e një qytetari të BE-së, çmenduri!

Johan Floderus, diplomat suedez është duke u mbajtur peng në Iran për më shumë se 500 ditë.

Bild shkruan se 33-vjeçari është një nëpunës civil nga Brukseli, i cili u arrestua ndërsa ishte me pushime në Teheran në prill 2022.

“Është një ide e çmendur të udhëtosh në Iran si turist në rrethanat aktuale dramatike, ndërsa të drejtat e grave dhe të njeriut po shkelen tmerrësisht,” kritikon eksperti iranian dhe politikani i FDP-së, Saba Farzan.

Identiteti i Floderus ishte mbajtur sekret nga qeveria suedeze dhe BE. Edhe pse Irani kishte njoftuar tre muaj pas arrestimit se një shtetas suedez ishte arrestuar, shteti nuk e publikoi emrin e tij.

Eksperti Farzan gjithashtu shton: “Ideja tjetër e çmendur e Josep Borrell është të heshtësh për rrëmbimin e një qytetari të BE-së për kaq shumë kohë. Politikat e buta po rrezikojnë jetën e njerëzve.”

Borrell konfirmon se një diplomat suedez i BE-së po mbahet rob në Iran

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian konfirmoi se Johan Floderus, diplomat suedez që punon për BE-në, është duke u mbajtur rob në Iran për më shumë se 500 ditë.

Pas një takimi në qytetin spanjoll të Kadizit, Josep Borrell u tha gazetarëve se Brukseli po kërkon “pareshtur” që të lirohet 33-vjeçari.

Të hënën, Suedia pjesërisht konfirmoi një raportim nga New York Times lidhur me ndalimin, duke njoftuar se një shtetas suedez, në të tridhjetat, është duke u mbajtur në Iran që nga prilli i vitit 2022.

Por, Borrell shkoi më tej duke konfirmuar emrin e personit dhe duke treguar se ai punon për trupin diplomatik të BE-së.

“Dua të flas për një rast specifik, për rastin e zotit Floderus. Ai është shtetas suedez që punon për Bashkimin Evropian dhe i cili është i ndaluar ilegalisht në Iran për më shumë se 500 ditë”, tha Borrell.

“Dua të theksoj se unë personalisht, të gjitha ekipet e mia në të gjitha nivelet, institucionet evropiane në koordinim të ngushtë me ato suedeze dhe familja e tij, po kërkojmë nga autoritetet iraniane që ta lirojnë atë. Në çdo takim diplomatik, në të gjitha nivelet, e kemi diskutuar këtë çështje, në mënyrë të vazhdueshme”, tha ai.

Ai tha se lirimi i Floderus është në agjendën e BE-së dhe të Qeverisë suedeze dhe “ne nuk do të ndalemi derisa ai të lirohet”.

Në korrikun e vitit të kaluar, Irani njoftoi se kishte arrestuar një person nën dyshimet për spiunazh, dy javë pasi një shtetas iranian u dënua me burgim të përjetshëm në Suedi për rolin e tij në ekzekutimet masive të mijëra kundërshtarëve politikë të kryera nga regjimi iranian më 1988.

Fraksion.com