Dhe kërkojmë performanca ne… Pikaaaaaaa modelit të qeverisjes!
Nga Artan FUGA
Më tragjikja, më e trishta, më e tmerrshmja në këtë sistem qeverisje është se vijnë ministra që nuk kanë asnjë platformë për të qeverisur sektorin ku ata vendosen në krye, nuk ia kanë haberin fare; pastaj marrin vendime ose zbatojnë masa për të cilat nuk ia kanë haberin se çfarë përfaqësojnë, po fare.
Si dje, ku u emëruan njerëz që as e dinë se ç’po ndodh me ta, as marrin mundimin t’ua thonë: Na flisni, na jepni pak programin se si do qeverisni. Presidenti i fut një firmë fap e fap, pa ditur se çfarë ka emëruar, dhe vijnë njerëz që ekzekutojnë vendime që kur janë emëruar as i kanë menduar, studiuar, pjekur në trutëe tyre, duke sjellë dëme të rënda për shoqërinë.
Më e keqja, ia fusin edhe pas krahëve kryetarit të tyre, duke lënë të kuptohet se ata nuk janë dakord, por e bëjnë nga e keqja, nga shtrëngimi, pra e dekonspirojnë vendimmarrjen. Dhe pastaj ikin në drejtime të tjera të paditura, duke harruar ose mos u kujtuar fare për atë që kanë bërë.
Shembuj? Ja po marr dy: Zonja Kushi mund të jetë një zonjë e nderuar, unë nuk e njoh fare, por kurrë Shqipëria nuk do t’ia harrojë shkatërrimin që i bëri albanologjisë, një krim që shkatërroi të paktën 200 vite përpjekje studiuesish, patriotësh, dijetarësh, për të mbajtur gjallë identitetin kombëtar! Po, është një krim kombëtar!
Zoti Mazniku, unë nuk e njoh fare se kush është, por kurrë inteligjenca universitare nuk do t’ia harrojë kurrë se ai është zbatuesi kryesor i ligjit për arsimin e lartë, nga i cili vuan prej dekadash bota universitare shqiptare, shkatërroi arsimimin e lartë të rinisë shqiptare, çoi në falimente universitetet njëri pas tjetrit.
Hajde gjeje ti pastaj se çfarë lidhjeje ka ministria e arsimit me kryetaren e grave socialiste, ose ligji për arsimin me punët e bashkisë të Tiranës, me këshillat bashkiakë në pushtetin vendor. Dhe kërkojmë performanca ne… Pikaaaaaaa modelit të qeverisjes!
Fraksion.com