Rama: Drejtësia e pavarur, kryebeteja e PS-së për Shqipërinë europiane
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot gjatë fjalës së tij në Asamblenë Kombëtare të PS-së, se qasja e mazhorancës qeverisëse për aktivitetin e organeve të drejtësisë, veçanërisht të SPAK, është radikalisht e re për të mos u përzier as me gojë, jo më me dorë në punët e drejtësisë, po për t’i mbështetur dhe inkurajuar pa kushte, pa pse, pa sikur, në veprimtarinë e tyre agresive kundër korrupsionit, krimit të organizuar.
Ai theksoi se kjo qasje bie ndesh shumë brutalisht me inercinë e tmerrshme të historisë 111-vjeçare që i ka mësuar njerëzit brez pas brezi dhe përfshirjen e shumë kënd prej jush që është pushteti politik ai që e tërheq hunde pushtetin gjyqësor.
“Qasja jonë është radikalisht e re në historinë e pushtetit politik në Shqipëri. Për të mos u përzier as me gojë e as me dorë në punën e organeve të drejtësisë, por për t’i mbështetur dhe inkurajuar ato pa kushte në veprimtarinë e tyre agresive kundër korrupsionit, krimit të organizuar po se po, është një qasje që bie ndesh me inercinë e tmerrshme të një historie 111-vjeçare. 111 vjet ajo histori i ka mësuar njerëzit brez pas brezi të mendojnë se pushteti politik e tërheq për hunde atë gjyqësor. Madje madje, sipas këtij mësimi të vjetër ky i fundit (kryeministri) fishkëllen penalltinë e shkeljes së ligjit dhe sipas interesit të skuadrës dhe interesit të vet e gjuan vetë penalltinë. Ndërsa popullit, shtetit, qytetarit, s’ka problem sepse sipas këtij mësimi të vjetër të trashëguar në mendjen e njerëzve dhe shumëkujt këtu brez pas brezi, i takojnë fjalët e bukura, për barazinë, demokracinë, drejtësinë e pavarur e me radhë, bla bla bla”, u shpreh Kreu i Ekzekutivit.
Rama vuri në dukje se mësimi i vjetër i kësaj historie është: “bëni si të themi ne, mos bëni si bëjmë ne”.
“Kështu mendojnë edhe ata që u fryjnë në vesh fqinjëve grekë nga larg dhe nga afër, qoftë politikanë nga foltore dinjiteti, apo mikrofonë minoriteti, analistë me sy të skuqur apo laps të mprehtë, ekspertë ligjorë me zërin në xhep, apo pijanecë me atdheun në gotë dhe padiskutim dhe avokatë të deklaruar dhe padeklaruar të një të arrestuari në flagrancë për blerje votash të cilit i kanë marrë në administrim edhe faqen në Facebook ku postojnë për hesap të tyre letra të tij nga qelia. Kjo është risi më vete në historinë e paraburgimit në Shqipëri dhe shkruajnë se ai ndihet si thoi i një luani”, vijoi Rama.
Kryeministri shtoi më tej se : “Ndërkohë që kush nuk është në të drejtën e vet ta mendojë luftën tonë për këtë drejtësi të porsalindur si zgjatjen e atij bishti të ndyrë të historisë shqiptare të kontrollit politik mbi drejtësinë, janë pikërisht ata ndër ju këtu përpara që e dinë shumë mirë, ose të paktën duhet ta dinin shumë mirë, qysh nga minuta e parë e jetës së kësaj shumice qeverisëse nën udhëheqjen time se për mua dhe për ne, kjo për drejtësinë e pavarur nga orekset e politikës është kryebeteja e PS për Shqipërinë europiane”.
Rama nënvizoi se “Shqipëria europiane për mua nuk është një llaf i bukur goje, por është ëndrra më e madhe me sy hapur që më zgjon në mëngjes më herët nga të gjithë ju se kështu e do detyra, më mban në këmbë më gjatë më shumë se ju dhe më detyron të fle pasi keni fjetur të gjithë ju”, u shpreh kreu i qeverisë në fjalën e tij”.
Fraksion.com