Presidentja Osmani vizitë zyrtare në Tiranë
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj do të presë sot në Tiranë, në një vizitë shtetërore Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
Sipas axhendës të publikuar nga presidenca, paraditen e sotme do të zhvillohet ceremonia zyrtare e mirëseardhjes së Osmanit në institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Pas takimit mes dy Presidentëve, do të vijohet më pas me takimin e zgjeruar mes delegacioneve. Në mesditë pritet të zhvillohet konferencë për shtyp e dy presidentëve.
Përgjatë qëndrimit në Shqipëri, Presidentja Osmani ka parashikuar edhe takime të tjera të nivelit të lartë.
Në axhendën e Presidentes Osmani, vizita zyrtare në Shqipëri do të shtrihet përgjatë datave 4 dhe 5 Shtator 2023.
Në kuadër të kësaj vizite, Osmani do t’i dorëzojë shkrimtarit Ismail Kadare dekretin e nënshtetësisë së Kosovës.
Një muaj më parë, në Prishtinë, presidentja Osmani kishte nënshkruar këtë dekret që sipas saj, dhënia e nënshtetësisë ikonës së letërsisë shqipe është nderim për shtetin e Kosovës.
Ndërsa në qershor të këtij viti, Osmani e ka dekoruar shkrimtarin Ismail Kadare me urdhrin “Hasan Prishtina”, më i larti të cilin e jep Republika e Kosovës për personalitetet më të shquara të kulturës, artit, dhe shoqërisë.
Fraksion.com