Presidenti ukrainas Zelenskyy tha se ministri i Mbrojtjes Oleksii Reznikov do të zëvendësohet këtë javë
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky tha të dielën se ministri i Mbrojtjes Oleksii Reznikov do të zëvendësohet këtë javë me ligjvënësin tatar të Krimesë Rustem Umerov.
Presidenti Zelensky e bëri njoftimin në llogarinë e tij zyrtare në Telegram, duke shkruar se udhëheqja e re është e nevojshme pasi ministri Reznikov kaloi “më shumë se 550 ditë lufte në shkallë të gjerë”.
Më vonë në fjalimin e tij të natës, presidenti Zelensky tha se beson që “ministria ka nevojë për qasje të reja dhe formate të ndryshme të ndërveprimit si me ushtrinë ashtu edhe me shoqërinë”.
“Parlamenti i Ukrainës e njeh mirë këtë person dhe Rustem Umerov nuk ka nevojë për prezantim shtesë. Pres mbështetje për këtë kandidaturë nga parlamenti”, tha presidenti në fjalimin drejtuar kombit.
Rustem Umerov, 41 vjeç, një politikan i partisë opozitare Holos, ka shërbyer si shef i Fondit të Pronës Shtetërore të Ukrainës që nga shtatori i vitit 2022. Ai ishte i përfshirë në shkëmbimin e të burgosurve të luftës, të burgosurve politikë, fëmijëve dhe civilëve, si dhe evakuimin e civilëve nga territoret e pushtuara. Z. Umerov ishte gjithashtu pjesë e delegacionit ukrainas në negociatat me Rusinë mbi marrëveshjen e grurit të mbështetur nga Kombet e Bashkuara.
Largimi i ministrit Reznikov pasoi një skandal rreth blerjes së xhaketave ushtarake nga ministria e Mbrojtjes. Në gusht, gazetarët hulumtues ukrainas raportuan se materialet janë blerë me një çmim tre herë më të lartë dhe se në vend të xhaketave dimërore, janë porositur ato verore. Në dokumentet doganore të furnitorit, xhaketat ishin me çmim 29 dollarë për njësi, por ministria e Mbrojtjes paguante 86 dollarë për njësi. Ministri Reznikov i mohoi akuzat gjatë një konference shtypi javën e kaluar.
Presidenti amerikan Joe Biden u tha gazetarëve në Delaëare të dielën se ishte në dijeni që presidenti Zelensky kishte zëvendësuar shefin e tij të mbrojtjes. I pyetur nëse kishte ndonjë koment, presidenti Biden tha: “Jo publikisht”. Departamenti Amerikan i Mbrojtjes gjithashtu nuk pranoi të komentojë.
Zyrtarët thanë se njoftimi i presidentit Zelenskyy u bë pasi dy persona u shtruan në spital pas një sulmi prej 3 orë e gjysmë rus me dronë në një port në rajonin e Odesës në Ukrainë të dielën.
Sulmi në portin detar të Renit ndodhi një ditë përpara se presidenti rus Vladimir Putin të takohet me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan për të diskutuar rifillimin e eksporteve të drithit nga Ukraina sipas një marrëveshjeje nga e cila Moska u tërhoq në muajin korrik.
Forcat ruse hodhën 25 dronë Shahed të prodhuar nga Irani përgjatë lumit Danub në orët e para të së dielës, 22 prej të cilëve u rrëzuan nga mbrojtja ajrore, thanë forcat ajrore ukrainase në rrjetin Telegram.
Andriy Yermak, shef i kabinetit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, e përshkroi sulmin si pjesë të një përpjekjeje ruse “për të nxitur një krizë ushqimore dhe uri në botë”.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha në një deklaratë se sulmi shënjestëroi depot e karburantit që përdoren për furnizimin e pajisjeve ushtarake./VOA
Fraksion.com