AktualitetTë fundit

Operacioni “Metamorfoza”, arrestohet në Francë Behar Bajri

Policia e Shtetit njoftoi sot se në vijim të operacionit policor “Metamorfoza”, është arrestuar i shpalluri në kërkim, Beharj Bajri. Ai u arrestua në Francë dhe pritet ekstradimi drejt vendit tonë.

Policia njofton se arrestimi i tij u realizua falë bashkëpunimit me palën franceze.

“Në vijim të punës gjurmuese dhe kërkimore, si dhe bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, mesditën e sotme, falë inteligjencës policore  të siguruar nga Policia e Shtetit, shkëmbimit në kohë reale të informacionit, nëpërmjet oficerëve të kontaktit të Policisë së Shtetit dhe Policisë Franceze, si dhe koordinimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Parisit, u bë e mundur kapja në Francë, nga Policia franceze, e shtetasit shqiptar Behar Bajri, 43 vjeç. Kapja e këtij shtetasi u bë me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë”, njofton Policia.

“Interpol Tirana, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese dhe me Interpol Parisin, vijojnë punën për plotësimin e  dokumentacionit, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë, të 43-vjeçarit. Kapja e këtij shtetasi tregoi edhe një herë bashkëpunimin serioz, profesional dhe të besueshëm mes Policisë së Shtetit dhe partnerëve, si dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit, për të gjurmuar, lokalizuar, kapur dhe çuar para drejtësisë, shtetasin e shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar”, përfundon njoftimi i Policisë.

Të enjten e shkuar,  në një seancë gjyqësore në Gjykatën e Apelit Kunër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Pëllumb Gjoka, prokurori Xhevahir Lita, ish-shefi i operacionales, Oltion Bistri, ish-efektivi Adrit Hasanbegaj,  Asmer Bilali, Edmond Preka, kërkuan përmes avokatëve të tyre ndryshimin e masës së sigurisë, por togat e zeza rrëzuan kërkesën duke i lënë në qeli.

Të ndaluarit nga operacionit “Metamorfoza”,  akuzohen për 12 vepra penale, duke nisur nga “vrasja”, “grup i strukturuar kriminal”, “korrupsion i zyrtarëve të lartë shtetërorë”, “shpërdorim detyre”, “pastrim parash” etj.

Hetimet për këtë grup të strukturuar kriminal kanë nisur në vitin 2019 pas informacioneve të përcjella nga autoritetet holandeze, belge dhe ato franceze që kanë mundur të sigurojnë komunikime mes anëtarëve të grupit ne rrjetin enchro chat dhe sky. Operacioni i finalizuar në fund të Korrikut, çoi në pranga 6 persona (me Behar Bajrin sot, 7-të), teksa të shpallur në kërkim janë 8 persona të tjerë.

 

Fraksion.com