AktualitetPolitikëTë fundit

Kush është Igli Hasani, ministri i ri i Jashtëm që do drejtojë diplomacinë shqiptare

Igli Hasani do të jetë ministri i ri për Evropën dhe Punët e Jashtme, i cili do të zëvendësojë Olta Xhaçkën. Ndryshimet i bëri publike kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Asamblesë së PS.

Po kush është Igli Hasani? Ai ka qenë Koordinator Ekonomiko-Ambiental i OSBE-së. Ky pozicion është më i larti i mbajtur ndonjëherë nga një shqiptar në Organizatën për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë.

Ndërsa më herët ka qenë ambasador i Republikës së Shqipërisë në Vjenë.

Përpara anëtarësimit në OSBE, ambasadori Hasani ka qenë Përfaqësues i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë pranë OSBE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Vjenë. Në janar 2021, ai mori postin e Kryetarit të Grupit të Partnerëve Aziatikë për Bashkëpunim.

Gjatë kryesimit shqiptar të OSBE-së, ambasadori Hasani ishte Kryetar i Këshillit të Përhershëm të OSBE-së dhe kryetar i Grupit të Kontaktit Mesdhetar si pjesë e Trojkës së OSBE-së në vitin 2019.

Igli Hasani ka një përvojë 17 vjeçare në Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë në role të ndryshme drejtuese,  si Sekretar i Përgjithshëm (2017-2018), Drejtor i Përgjithshëm për Politikat e Mbrojtjes (2015-2017), Drejtor i NATO-s dhe Marrëdhënieve me Jashtë (2013-2014). dhe Drejtor i Integrimeve Euro-Atlantike (2013-2014). Ai ka diplomë në Drejtësi, Sociologji dhe Filozofi nga Universiteti i Tiranës, Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare nga King’s College në Londër, si dhe është diplomuar në Kolegjin Mbretëror të Studimeve të Mbrojtjes.

 

Fraksion.com