AktualitetBota+Të fundit

OKB i propozon Rusisë një marrëveshje të re për drithërat

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së tha të enjten se e ka kontaktuar Rusinë me “propozime konkrete” për të rinovuar marrëveshjen e dështuar të drithit, nga e cila u tërhoq në korrik. Veprimi i Moskës u pasua me një seri sulmesh kundër porteve të Ukrainës dhe depove të grurit.

“Propozimi ka të bëjë me nevojën për të ringjallur nismën e Detit të Zi”, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres gjatë një konference shtypi në selinën e organizatës. “Në të njëjtën kohë, kemi disa zgjidhje konkrete lidhur me shqetësimet për qasje më efektive në tregjet globale të ushqimeve dhe plehrave ruse me çmime të përshtatshme”.

Ai tha se propozimi trajtonte disa nga shqetësimet e Moskës, ndërsa nuk dha detaje të mëtejshme. Zoti Guterres nënvizoi se çdo ringjallje e nismës duhet të jetë e qëndrueshme.

“Nuk mund të kemi një nismë të Detit të Zi që kalon nga një krizë tek tjetra, nga pezullimi në pezullim”, tha zoti Guterres. “Duhet të kemi diçka që funksionon dhe që funksionon në të mirë të të gjithëve”.

Shefi i OKB-së tha se nuk e sheh në horizont mundësinë për paqe në Ukrainë, çfarë e bën edhe më urgjente ringjalljen e nismave, siç është ajo për drithin.

“Unë mendoj se ne nuk jemi ende atje”, tha zoti Guterres për përfundimin e luftës. “Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme që të merren masa për të ulur ndikimet dramatike negative të kësaj lufte në raport me botën”.

Ndërkohë, Turqia, e cila luajti një rol kyç në negociatat dhe zbatimin e marrëveshjes së grurit, dërgoi kryediplomatin e saj në Mosktë të enjten për të biseduar mbi ringjalljen e saj.

Për gati një vit, nisma ndihmoi në lehtësimin e eksportit të afro 33 milionë tonë drithërave dhe ushqimeve të tjera nga Ukraina nëpërmjet Detit të Zi, duke ndihmuar në uljen e çmimeve globale të ushqimeve, të cilat u rritën pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë.

Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, shprehu mbështetjen për propozimet e OKB-së gjatë një konference të përbashkët shtypi me Ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov, sipas njoftimeve nga mediat turke.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan gjithashtu thuhet se po planifikon të takohet së shpejti me Presidentin rus Vladimir Putin për të diskutuar marrëveshjen e grurit, mes të tjerash./VOA

 

Fraksion.com