Xhaçka: Shqipëria merr Presidencën e dytë të Këshillit të Sigurimit të OKB
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashmte, Olta Xhaçka dha sot një deklaratë për mediat me rastin e marrjes së Presidencës së dytë Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
“Shqipëria nis nesër Presidencën e saj të dytë të Këshillit të Sigurimit të OKB”, tha Xhaçka, e cila shtoi se, “kjo Presidencë shqiptare e Këshillit të Sigurimit vjen në një moment vërtetë të vështirë, kur bota përballet me një sërë krizash e konfliktesh shumë serioze, që nga Ukraina e deri tek kriza e pasigurisë së ushqimit si pasojë e luftës në Ukrainë dhe politikave që ndjek Rusia, që nga Jemeni, Sudani e Lindja e Mesme në tërësi, e deri tek kriza e pasiguria që mbizotëron sot në Sahel”.
“Është pra një moment, që si kurrë më parë, ka nevojë për angazhimin e komunitetit ndërkombëtar, e veçanërisht të Këshillit të Sigurimit për të garantuar paqen e sigurinë në botë, për të garantuar respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së OKB. Mbajtja e Presidencës së Këshillit të Sigurimit, i jep vendit tonë mundësinë që të përcaktojë në një masë të madhe, sigurisht në konsultim të ngushtë me aleatët e partnerët, se cila do të jetë agjenda e Këshillit për muajin e shtatorit, se cilat janë ato çështje që do të marrin vëmendjen e Këshillit, cilat janë ato situata që do të përfitojnë nga angazhimi i Këshillit të Sigurimit”, nënvizoi Xhaçka.
Sigurisht, shtoi ministrja Xhaçka, “që ndryshe nga janari 2021, kur u ulëm për herë të parë në Këshillin e Sigurimit, ne sot i qasemi Presidencës sonë me avantazhin e një eksperience të vyer të akumuluar gjatë këtyre 20 muajve të fundit, por edhe me avantazhin që na jep në sytë e aleatëve e partnerëve performanca tejet e suksesshme e profesionale që kemi pasur gjatë këtij mandati”.
Xhaçka evidentoi dy momente të rëndësishme të kësaj Presidence, dy aktivitete shënjuese.
“Së pari, është një nismë tejet e rëndësishme dhe inovative, për të cilën punojmë prej thuajse dy vjetësh, dhe që e kemi përfshirë në agjendën e Këshillit për muajin shtator. Bëhet fjalë për një përpjekje ambicioze dhe shumë sfiduese për të garantuar shpërndarjen e shpejtë dhe efektive të ndihmave humanitare kudo në botë në kohë krizash, qoftë në situata lufte, qoftë në situata katastrofash natyrore”, tha Xhaçka.
“Vendi ynë, ekipi ynë, ka bashkëpunuar me një grup mjaft serioz organizatash e korporatash të mëdha amerikane, për të ndërtuar një platformë bashkëpunimi që në njërën anë do të mundësojë që bizneset e mëdha dhe korporatat të ofrojnë kontributin e tyre qoftë financiar, qoftë në mallra apo shërbime në situata krizash humanitare, duke krijuar sinergji apo duke plotësuar mekanizmat ekzistues të ndihmës humanitare, e në anën tjetër do të përmirësojë e do të bëjë më të shpejtë e efikase mënyrën sesi shpërndahen këto ndihma e kontribute, në mënyrë që ato të shkojnë në vendin e duhur dhe në kohën e duhur, atje ku ka realisht nevojë”, u shpreh Xhaçka.
“Bëhet fjalë pra, për të mbledhur së bashku, në një platformë inovative bashkëpunimi korporata e biznese të mëdha të cilat duan të japin kontributin e tyre humanitar, por kanë vështirësi për ta bërë këtë përmes mekanizmave e instrumenteve ekzistuese të sistemit të OKB e që për këtë arsye kanë zgjedhur të punojnë bashkë me ne për të ndërtuar një platformë të re. Ideja është pritur mjaft mirë, ka gjetur mjaft mbështetje nga aktorë e grupe interesi, dhe vendit tonë i takon merita që ka qenë jo vetëm një nga iniciatorët dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të kësaj iniciative, por edhe që e ka sjellë atë në vëmendje të Këshillit të Sigurimit”, theksoi ajo.
Aktiviteti tjetër shënjues i presidencës tonë, vijoi Xhaçka, “natyrisht do t’i kushtohet agresionit të paligjshëm rus kundër Ukrainës. Kjo është një nga çështjet me të cilat ne kemi punuar më shumë, si bashkëpenëmbajtës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një çështje e cila realisht ka shënjuar mandatin tonë dhe ka bërë që Shqipëria të fitojë respektin dhe admirimin e partnerëve e aleatëve për seriozitetin, profesionalizmin dhe guximin me të cilin ka punuar për të mbështetur ligjin ndërkombëtar, Kartën e OKB, Ukrainën e për të dënuar Rusinë”.
Në këtë kontekst, u shpreh ministrja Xhaçka, “ne do të organizojmë një Debat të Hapur të nivelit të lartë në Këshillin e Sigurimit, i cili do të fokusohet në pasojat e agresionit të paligjshëm rus kundër Ukrainës për paqen dhe sigurinë në botë, si dhe në përpjekjet e përbashkëta për të forcuar e konsoliduar multilateralizmin dhe respektin për ligjin ndërkombëtar”.
Natyrisht, shtoi ajo, “gjatë shtatorit do të ketë edhe shumë aktivitete e ngjarje të tjera të rëndësishme sepse agjenda e Këshillit të Sigurimit është vërtet intensive. Jo vetëm kaq, por gjatë shtatorit siç e dini, zhvillohet edhe java e nivelit të lartë të Asamblesë Parlamentare të OKB”.
Por, thekesoi Xhaçka, “aktivitetet që ju prezantova, janë padyshim momentet kulmore të Presidencës tonë. Janë dy aktivitete shënjuese për të cilat është punuar vërtet shumë dhe që jam e sigurt që do të lënë gjurmë duke konsoliduar emrin e mirë dhe performancën e suksesshme të vendit tonë në Këshilin e Sigurimit”.
Fraksion.com