Rama batuta me banorët në Durrës: Hajdeni pini ndonjë kafe ju demokratët se jeni ngushtë këto kohë!
Kryeministri Edi Rama inspektoi punimet në Spitallë të Durrësit dhe u mirëprit nga disa vendas për të pirë kafe. Ai nuk i kurseu as batutat për banorët e zonës.
“Thuaj atyre demokratëve të vijë, se duken ata që janë demokratë . Pse fshiheni ore? Hajde ulu, merri dhe ato demokratët e tjerë. Kam 20 vjet unë, i njoh nga larg, ehu… Hajde hajde, ulu, hajde këtu ti mo.
Sa vjeç është ky? Sillet mirë? Ja keni mësuar atë ‘Rama ik?’ Për kafe jeni vetë, për punë me keni mua.
Bjerini një kafe të gjithëve këtu, se demokratët janë vështirë këto kohë duhet me ju dhënë kafe.”- thotë Rama.
Kryeministri Rama duke inspektuar punimet në Spitallë të Durrësit me kryebashkiaken Emirijana Sako tha se për 5 vitet e ardhshme lagja ‘Rilindja’ do jetë një ndër më të bukurat pasi është ndërtuar nga hiçi. Me batutë kryeministri Rama përmendi edhe këmbënguljen e investitorit Muhamed Alabbar që ta shihte investimin e madh që i është bërë kësaj lagjeje. Ai ka treguar edhe një bisedë me biznesmenin.
“Kjo për 5 vjet do tjetë një ndër lagjet më të bukura pa diskutim. Është e gjitha e ndërtuar nga hiçi, me hapësira dhe me të gjitha gjërat që do të vijojmë të ndërtojmë rreth e rrotull. Duhen bërë këto punimet e fundit se më mbyti Alabbari se edhe unë e mbyta. Më tha; brother shko shikoji… E bëri ai këtë, është investim i jashtëzakonshëm. Shihe sa bukur është.”- tha Rama.
Në këtë lagje, po përfundohen 996 apartementet që do të strehojnë familje të prekura nga tërmeti në zonën e bashkisë së Durrësit. Fondi Shqiptar i Zhvillimit po punon për infrastrukturën e re të kësaj lagjeje. Ky investim është bërë me financimin e Presidentit të Emirateve të Bashkuara, Sheikh Mohammed Bin Zayed nga sipërmarrja e ndërtuesit të Portit të Ri Turistik të Durrësit, Muhamed Alabbar.
Fraksion.com