AktualitetTë fundit

“Vendosëm kontroll me shpejtësi”, Peleshi: Kemi menaxhuar me sukses 465 vatra zjarri

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi sot në një informim publik për situatën e zjarreve dhe reshjeve në vend se, mekanizmi kombëtar i mbrojtjes civile ka funksionuar këtë vit më mirë se çdo herë tjetër.

Kjo, theksoi ai, është arsyeja pse deri tani kemi mundur të menaxhojmë me shumë sukses 465 vatra zjarri.

“Kur them sukses e kam fjalën që kemi arritur objektivin primar të ruajtjes së jetës së njerëzve, pra nuk kemi as një jetë të humbur, madje as të rrezikuar. Nga ana tjetër kemi ruajtur gjithashtu pasurinë e qytetarëve tanë në qytet apo në fshat. Kemi ruajtur dhe kemi shmangur më të keqen në shumë zona pyjore. Përgjithësisht zonat e djegura nga këto zjarre kanë qenë kullota. Kemi shmangur zjarret në pemëtari, pra kemi ruajtur pasurinë e qytetarëve”, tha ai.

Peleshi u shpreh se, në 24 orët e fundit zjarret vazhdojnë dhe janë aktive në qarqet, Fier, Vlorë dhe Dibër.

Peleshi vuri theksin tek disa zjarre kritike.

“Duke filluar nga zonat e Frakullit në Fier, ku filloi edhe sezoni i zjarreve. Kemi pasur situatë të vështirë aty, që me vështirësi, por me shumë seriozitet, me angazhim dhe  bashkëpunim u arrit të shmanget. Zjarr kritik ka qenë zjarri mbi Porto Palermo, pranë Qeparoit, gjithashtu pranë zonave të banuara, në një zonë turistike, në pikun e sezonit, u menaxhua në një kohë shumë të shpejtë”, tha Peleshi.

Ministri shtoi se, “një zjarr tjetër shumë delikat ishte zjarri shumë afër kishës së Laçit. Edhe aty pati një përqendrim të madh të forcave, të forcave të pushtetit vendor, por edhe të Forcave të Armatosura, që kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë aktive dhe kyçe në përcaktimin e fatit të emergjencave civile”.

Peleshi përmendi edhe zjarrin në Shpirag, ku u shpreh ai, “ju e dini rëndësinë që ka Shpiragu tani për shkak dhe të kantierit aty afër, por falë një bashkëpunimi të jashtëzakonshëm kemi arritur ta shmangim”.

“Kemi aktualisht zjarr aktiv në pyjet e Lurës, jo kritik, është duke u vendosur në kontroll me shpejtësi”, theksoi Peleshi.

 

Fraksion.com