AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Hetimi i SPAK për sterilizimin nuk cënon suksesin e kësaj nisme

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “hetimi i SPAK-ut për abuzime të mundshme në procesin e ndërtimit të Partneritetit Publik Privat për sterilizimin në shëndetësi, nuk e cënon aspak suksesin e prekshëm të kësaj nisme madhore të qeverisë shqiptare për rilindjen e shëndetësisë.

I shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, kryeministri Rama pa nga afër ambientet e këtij spitali, ndërsa u informua nga mjekët mbi përfitimet që garanton procesi i sterilizimit.

“Doja të vija më shumë për të shfrytëzuar këtë moment ku u bë një konfuzion i madh për shkak të hetimit të procedurës dhe kompanisë përkatëse, midis përfitimit të madh që ka pasur sistemi dhe çfarëdoqoftë që individë të caktuar mund të kenë bërë pas shpine, që është puna e tyre me drejtësinë”, theksoi ai.

Kryeministri deklaroi se “hetimi i SPAK siguron që askush të mos mbetet i pandëshkuar nëse ia bën me hile shtetit dhe popullit shqiptar, duke nxjerrë përfitime vetjake të paligjshme gjatë kryerjes së detyrës në punën për qëllimin e përbashkët”.

“Kur ndodhi në fillim ajo që u lajmëruan masat e sigurisë për atë grupin që kanë bërë procesin, kam marrë disa mesazhe nga mjekë që ndonjë edhe nuk e njihja. Ishin të gjithë të shqetësuar se mos bllokohej kjo gjë. Dhe kjo nuk është pjesë fare e kësaj gjëje dhe nuk ka shanc sepse qëllimi jonë i përbashkët pse kemi bërë këtë është t’ju japim juve instrumentat e klasit më të lartë sot. Dhe janë. Nuk ka qenë që hajde të bëjmë këtë dhe pastaj ju kapni çfarë të kapni. Kush sheh ‘të kapim çfarë të kapim’ ka tjetër drejtim, ne jemi për këtë drejtim. Kështu që kjo jo vetëm është e garantuar, por duhet ta përsosim duke qëndruar vazhdimisht në nivelin më të lartë se ndërkohë edhe bota i përsos këto gjëra”, tha Rama.

 

Fraksion.com