Von der Leyen i kërkon Kurtit uljen e tensioneve në veri
Presidentja e Komisionit Evropian, shkroi në X, i njohur më parë si Twitter, se me kryeministrin Kurti, “foli edhe për nevojën për t’u riangazhuar në dialogun e ndërmjetësuar nga BE. Është jetësore kapërcimi i pengesave në rajon dhe sjellja e Ballkanit Perëndimor më afër BE-së”. Nga ana e tij, kryeministri Kurti, shkroi në X se “në takim me shefen e KE-së theksoi rëndësinë për zbatimin e plotë, pa kushte, të Marrëveshjes Bazike.” “Ishte kënaqësi ta takoja presidenten e Komisionit Evropian, në Athinë. Ne biseduam për marrëdhëniet bilaterale, bashkëpunimin rajonal dhe planin e BE-së për rritje për WB6 (Forumi i Investimeve i Dhomave të Ballkanit Perëndimor), si dhe dialogun”.

“Kosova ka zbatuar zotimet e saj”
Më vonë në një komunikatë për medie nga zyra e kryeministrit, thuhet se Kurti “kujtoi takimin e Bratislavës më 10 korrik për de-eskalim dhe theksoi se për rreth dy muaj nuk ka asnjë incident e as protesta të dhunshme në katër komunat në veri të Kosovës, ndërkohë që kemi edhe numër të shtuar të punëtorëve në ndërtesat komunale. Kosova ka zbatuar zotimet e saj dhe është e rëndësishme që BE të largojë masat”, thuhet në komunikatë.
Bashkimi Evropian, por edhe SHBA-të vazhdimisht po kërkojnë nga Kosova dhe Serbia që t’i ulin tensionet në veri dhe që Prishtina t’i organizojë zgjedhjet e reja lokale në katër komunat e banuara me shumicë serbe, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut.
Mundësohet peticioni për largimin e kryetarëve të komunave
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal i Kosovës, Elbert Krasniqi, tha se procesi për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës do të determinohet gjatë ditëve në vijim. Sipas tij, një udhëzim administrativ që mundëson nisjen e peticionit për largimin e kryetarëve të komunave do të jetë gati në fund të muajit.

“Si ministri dhe si ministër kam mbuluar përgjegjësinë time duke filluar me udhëzimin administrativ, i cili parasheh të drejtën e qytetarëve për mbledhjen e nënshkrimeve për largimin e kryetarëve nga detyra”, tha ministri Krasniqi. Sipas tij, zgjedhjet e parakohshme mund të zhvillohen nëse 20 për qind e votuesve në një komunë nënshkruajnë një peticion për largimin e kryetarit të asaj komune. Tensionet në veri të Kosovës kulmuan kur me 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën përcjelljen e policisë u futën në ndërtesat komunale. Serbët lokal që më herët bojkotuan zgjedhjet, e kundërshtuan këtë duke mbajtur vazhdimisht protesta para ndërtesave komunale./DW
Fraksion.com